27 maj 2015 – Në finalen e madhe të Berlinit, Barcelona – Juventus, nuk do të mungojnë edhe tifozët kosovarë. Madje, është klubi katalanas që ka rezervuar tri bileta për grupin kosovar të tifozëve të Barcelonës, të quajtur “Penya Kosovar del FC Barcelona”. Lajmin e konfirmon Adnan Ahmeti, për GazetaOlle.com. Ai është përfaqësues e kryetar i ‘Penya Kosovar del FC Barcelona’.
Në njoftimin e publikuar nga Ahmeti shkruhet: "Fan klubi zyrtar për Kosovën i Klubit të Futbollit FC Barcelona, i quajtur Penya Kosovar del FC Barcelona, do të udhëtojë edhe zyrtarisht në Finalen e Ligës së Kampionëve në Berlin më 6 qershor. Ata edhe zyrtarisht kanë marrë dje konfirmimin se atyre iu janë akorduar tri bileta për pjesën ku do të vendosen fansat e Barcelonës në 'Olimpia Stadion' në Berlin. Ndërsa vitin e kaluar, kryetari i Penya Kosovar del FC Barcelona, z. Adnan Ahmeti ishte pjesëmarrës në Kongresin Botëror të Fansave të FC Barcelonës, i mbajtur në Barcelonë gjatë muajit gusht, ku të pranishëm ishin mbi 1000 delegatë nga e gjithë bota dhe z. Ahmeti gjatë këtij takimi takoi edhe presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeu, dhe nënkryetarin e klubit, Jordi Cardoner, ku kanë biseduar për mundësinë e organizimit të kampit për talente të shkollës së futbollit FCBEscola edhe në Kosovë gjatë dy viteve të ardhshme".
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/