Moment aspak i mirë për Barcelonën në vigjilje të çerekfinaleve të Champions. Pas disfatës që pësoi në El Clasico dhe hapjes së kutisë së Pandorës me çështjen e Letrave të Panamas ku përfshihet dhe Lionel Messi ka ardhur dhe një denoncim në drejtim të klubit katalanas nga ana e vëzhguesit Spanjoll kundër homofobisë. 

Bëhet fjalë për një episod të El Clasicos së fundit që përfundoi 2-1 për Los Blancos me golin vendimtar të shënuar pikërisht nga Ronaldo. Gjatë minutës së heshtjes në nderim të Johan Cruijff, në Camp Nou u dëgjua dhe një kor nga tifozët katalanas me fyerje homofobe, duke aluduar për orientimin seksual të Cristiano Ronaldos. Shoqatat në mbrojtje të komunitetit “gay” dihet nuk anashkalojnë raste të tilla dhe kështu Institucioni i Vëzhguesit Spanjoll kundër homofobisë ka bërë të ditur se denoncon në Komisionin Kundër Dhunës në Sport në drejtim të Barcelonës.

Drejtori i këtij organi, Paco Ramirez ka kujtuar se fyerje të ngjashme nuk janë diçka e re në stadiumet spanjolle, pasi në të kaluarën edhe Guit, Michel dhe Guardiola janë kthyer në objekt të tyre, por deri më tani nuk është marrë asnjë ndëshkim.