8 janar 2015 – Barcelona do të bojkotojë ceremoninë e Topit të Artë 2014 që do të mbahet në 12 janar në Zyrih të Zvicrës. Presidenti i klubit katalanas bëri të ditur se Barcelona do t'i ndërpresë marrëdhëniet me Fifa-n përgjatë gjithë kohëzgjatjes së ndëshkimit të imponuar në lidhje me transferimet.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv së fundmi vendosi të lërë në fuqi vendimin e Fifa-s që e ndalon Barcelonën të bëjë blerje deri në 2016 për shkak të parregullsive të klubit në firmat me futbollistët e rinj të akademisë La Masia.
Presidenti Bartomeu bëri të ditur gjithashtu se klubi nuk do të dërgojë asnjë përfaqësues në galanë e Topit të Artë, edhe pse Lionel Messi është një ndër tre kandidatët finalistë për fitimin e trofeut më prestigjioz individual, bashkë me Cristiano Ronaldon dhe Manuel Neuer.
Gjithsesi, vetë argjentinasi, ende nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë në ceremoninë e organizuar nga Fifa dhe France Football të hënën e ardhshme duke e lënë të paqartë nëse vendimi i Bartomeut ka të bëjë vetëm me zyrtarët e klubit apo edhe me futbollistët. Presidenti i Barcelonës vec të tjerash konfirmoi se do t'i dërgojë një letër me tone të ashpra presidentit të Fifa-s Sepp Blatter ku do t'i komunikojë gjithë pakënaqësinë e tij në lidhje me ndëshkimin që ju imponua klubit.





