Tifozët e Barcelonës janë mësuar të vuajnë jo pak në javët e fundit. Në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit që ka luajtur skuadra blaugrana, ata kanë qenë prapa në tabelën e rezultateve në një moment të caktuar. Të shtunën në Vajadolid, historia u përsërit.
Ishin skuadra e rënë nga kategoria që shënoi e para. Edhe një herë, skuadra e Barçës po shkon kundër rrymës. Kjo statistikë e veçantë filloi në ndeshjen e dytë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit më 15 prill. Gjermanët kaluan në epërsi në minutën e 11-të me anë të Girasi nga pika e bardhë. Barcelona nuk arriti ta kapërcente këtë pengesë fillestare dhe ndeshja përfundoi 3-1 për gjermanët. Ndeshja tjetër, kundër Selta Vigos ishte një përsëritje e së njëjtës histori, megjithëse me një kthesë të vogël.
Ferran Torres shënoi i pari për Barcelonën, por Borha Iglesias shënoi 3 herë duke e çuar rezultatin në 1-3 në minutën e 62-të. Megjithatë, skuadra blaugrana arriti ta përmbysë disavantazhin dhe në fund mori të trija pikët. Kundër Majorkës nuk pati surpriza. Barça fitoi 1-0. Në finalen e Kupës, skuadra e Hansi Flik gjithashtu e gjeti veten prapa 1-2 pasi Pedri i kishte kaluar në epërsi fillimisht. Edhe në këtë rast katalanasit luftuan për ta çuar takimin në kohën shtesë ku vendosi goli i Kunde për t’i dhënë trofeun.
Kundër Interit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën e kaluar, Turam shënoi për zikaltrit ndërsa tifozët ishin ende duke zënë vendet e tyre. Barcelona u gjend në disavantazh 0-2 dhe më pas në 2-3, por gjithnjë e gjeti rrugën për të mos dalë duarbosh. Të shtunën në Vajadolid katalanasit lundruan përsëri kundër rrymës. Barça e gjeti veten disavantazh që në minutën e 6-të kur Ivan Sançez shënoi për vendasit. Ishin Rafinja dhe Fermin Lopez ata që përmbysën sërish. Por kjo Barçë po luan shumë me zjarrin.