24 shkurt 2015 – Barcelona i dha fund serisë prej 11 fitoreve radhazi në fundjavë, kur u mundën në shtëpi nga Malaga. Por, para një ndeshjeje shumë të rëndësishme si ajo kundër Mançester Sitit në Ligën e Kampioneve, futbollistët katalanas nuk i janë përmbajtur një regjimi strikt të klubit. Madje, lojtarët më të rëndësishëm mund të kenë thyer rëndë edhe rregullat e klubit. E përditshmja britanike “Mirror” ka publikuar fotot që vërtetojnë se Lionel Mesi dhe Xherard Pike kanë shkuar në “Casino de Barcelona” pas ndeshjes ndaj Malagës. Së bashku me Cesk Fabregas, ata kanë kaluar disa orë duke luajtur poker dhe ruletë, ndërkohë që kanë dalë prej saj rreth orës 00:20 pas mesnate. Edhe pse duhet të ishin në shtëpi, në pritje të udhëtimi drejt Mançesterit, lojtarët nuk janë shqetësuar shumë për formën fizike. Rreth orës 12 të mesditës së nesërme, klubi i Barcelonës mbërriti në aeroportin e Mançesterit dhe ylli argjentinas, Lionel Mesi, dukej qartë që ishte i lodhur. Gjithsesi, asnjë prej sportistëve nuk është vënë në shënjestër kritikash nga drejtuesit. Madje, as ata vetë nuk e shikojnë si një veprim të gabuar. Vetëm Xherard Pike, i cili doli dje në konferencën për shtyp, e justifikoi duke thënë: –
“Na kishte ardhur një mik (Fabregas) nga Londra dhe e pritëm. Vendosëm të shkonim në kazino dhe të jem i sinqertë ia kaluam shumë mirë. Sigurisht që kjo nuk ndikon aspak te forma, përqendrimi apo motivimi ynë për ndeshjen e Ligës së kampioneve, kundër Mançester Sitit”. Gjithashtu edhe trajneri Luis Enrike ka bërë një prononcim të shkurtër kur u pyet nga gazetarët për këtë temë. “Janë gjëra që bëjnë pjesë në jetën e tyre private dhe nuk cënojnë kontributin si futbollist të Barcelonës. Nuk jam tipi i trajnerit që flas për gossip”, u shpreh kreu i pankinës katalanase.





