Barcelona duket se ka bërë një goditje të bujshme teksa ka siguruar firmën e një lojtari të cilin e kërkonin të gjithë klubet e mëdha të Europës.
Gazeta katalanase ”Mundo Deportivo” e kanë bërë sot fakt të kryer firmën me Jonathan Tah, qendërmbrojtësin gjerman të Bajer Leverkusen.
Sipas tyre, futbollisti të cilit i përfundon kontrata me klubin gjerman në verë, do t’u bashkohet katalanasve në fillimin e sezonit të ardhshëm, me objektivin për t’u kthyer në një pikë fikse të prapavijës së kësaj skuadre.
Prania e Flik në pankinën e Barcelonës mendohet se ka ndihmuar në arritjen e këtij akordi me lojtarin të cilin praktikisht e synonte çdo klub i madh i Evropës, pasi është një garanci për prapavijën, siç e ka treguar vazhdimisht me Leverkusenin dhe përfaqësuesen gjermane.
Akordi është arritur që në fillimin e dhjetorit, kur Deko dhe përfaqësuesit e lojtarit janë takuar në Leverkusen dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Ky mund të cilësohet si një sukses i madh për katalanasit, të cilët kanë probleme financiare e nuk mund të shpenzojnë shuma të mëdha për të siguruar futbollistë të tillë cilësorë.