12 gusht 2015 – Është dashur koha shtesë për të përcaktuar fituesen e superkupës së Europës, koha e rregullt e 90 minutave mes Barcelonës dhe Seviljes u mbyll në barazim 4 – 4. Vetëm pesë minuta përpara përfundimit të kohës shtesë, pikërisht në minutën e 115-të, Pedro Rodriges i ka dhënë fitoren Barcelonës në këtë sfidë që rezultoi e vështirë për kampionët e Europës.
Ndodh rrallë të sfidosh Barcelonën me katër gola aq më tepër në një finale të tillë për një trofe europian. Katalanasit pas rezultatit 4 – 1 në favor të tyre, lëshuan shumë në lojë, ku në pak minuta ndëshkohen me tre gola, dhe gjithçka mbetej të zgjidhej në kohën shtesë, ku Pedro Rodriges në minutën e 115-të ka prishur ëndrrën e Seviljes për të ngritur këtë trofe.
Autorë të golave për Barcelonën ishin Mesi në minutat e 7-të dhe 16-të, Rafinja në minutën e 44-t dhe Suarez në minutën e 52-të, ndërkohë për Seviljen realizuan Banega në minutën e 3-të, Rejes në të 57-ën, Gameiro në të 72-ën dhe ukrainasi Konoplianka në minutën e 81-të realizon golin e 4-ët për Seviljen duke barazuar gjithçka në 4 – 4 duke i dhënë shanse skuadrës së tij në shtesë.
Barcelona e fiton për herë të pestë trofeun e Superkupës së Europës duke arritur Milanin me pesë trofe të fituar më parë. Në këtë mënyrë, Barcelona nis zyrtarisht sezonin e ri me një trofe europian të fituar që i shtohet galerisë së pasur të trofeve të fituara në vite nga kjo skuadër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/