Barcelona ndodhet përballë pamundësisë për të përballuar një operacion të përmasave “Erling Haland”.

Kështu që është duke kryer manovra të tjera për të forcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm me synimin për të konsoliduar projektin e nisur që nga ardhja e Ksavi Hernandezit në “Camp Nou”.

Një nga objektivat në merkato është ajo e Robert Levandovskit, sulmuesi polak i Bajernit të Mynihut.

Marrëveshja me lojtarin nuk do të ishte problem për shkak të interesimit të Levandovskit për të ndryshuar ambient dhe marrëdhënieve të mira mes presidentit Joan Laporta dhe agjentit të lojtarit, Pini Zahivi, i cili është kujdesur për interesat e tij që nga viti 2018.

Barça do t’i ofronte golashënuesit më të mirë të Bundesligës një kontratë deri në qershor 2026.

Nga ana tjetër, katalanasit do t’i jepnin atij mundësinë për të drejtuar atë që do të ishte projekti i parë fillestar i Ksavit në pankinën e Barçës.

Trajneri spanjoll, edhe pse tani ka në skuadër sulmues si PiereEmerik Obamejang , i cili është një garanci në repartin ofensiv, dëshiron një tjetër lojtar garancie me eksperiencë, një yll për të nisur një projekt fitues brenda dhe jashtë Spanjës.

Në klubin katalanas e kuptojnë se Levandovski mund të performojë në nivelin më të lartë edhe për dy vite të tjera (deri në qershor 2024), por për shkak të cilësisë dhe profesionalizmit të tij, ai është një nga ata lojtarë që i përkushtohet 100% karrierës së tij, ai mund të luajë në këto nivele edhe për disa sezone të tjera.

Janë shifrat e tij, të qëndrueshme me kalimin e kohës, ato që e bëjnë të pavdekshëm polakun: 339 gola në 366 ndeshje.

Sezonet e fundit, për shembull, i përfundoi me 40, 55, 48 dhe 45 gola në sezon.

Nga ana tjetër, Barça ka nevojë për një yll të ri pas largimit të Lionel Mesit dhe ka menduar që Robert të mbushë boshllëkun e lënë nga argjentinasi, i cili u largua te PSG-ja në verën e vitit 2021.

Me një lojtar të klasit botëror në radhët e tyre, përveç kësaj, klubi do të kishte një imazh më tërheqës dhe global për sponsorët e tij.

Po kështu, Levandovski nuk është dalluar asnjëherë si një futbollist konfliktual apo problematik. Qëndrimi i tij brenda dhe jashtë fushës ka qenë shembullor dhe profesional.

Në Gjermani ai ka marrë vetëm një karton të kuq dhe kjo kur ai luante me fanellën e Dortmundit në një ndeshje kundër Hamburgut në shkurt 2013.

Intervista e tij e fundit për “Focus” shtoi edhe një herë tjetër dyshimet për largimin e tij nga Mynihu.

“Jam i hapur për çdo gjë në karrierën time.

Fjalët që emri i Halandit po lakmohet kaq shumë nga mediat dhe që po lidhet me Bajernin nuk më shqetësojnë.

Unë jam i fokusuar te ndeshja e radhës dhe për momentin vetëm kjo ka rëndësi”, tha lojtari i cili sipas mediave spanjolle mësohet t’i ketë thënë po Barçës për një transferim në fund të sezonit.

Në këtë operacion, bavarezët mund të arkëtojnë 50 milionë euro dhe më pas të nisin sulmin ndaj Halandit.