Barcelona vazhdon të kërkojë përforcime cilësore që të ndihmojnë klubin të bëjë hapin e radhës, atë të ngjitjes në majën e futbollit europian pasi ia doli të kalonte Realin në Spanjë në sezonin e fundit. Pas dështimit të radhës në marrëveshjen me Niko Uilliams, katalanasit kanë hedhur sytë nga Seria A, të ndërgjegjshëm se klubet italiane janë gati të shesin. Emrat që përfliten janë ata të Dushan Vlahoviç dhe Ademola Lukman, futbollistë të cilët kanë shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga klubet përkatëse, Juventus e Atalanta.
Megjithatë, ëndrrat e Hansi Flik janë të tjera, por shumë të vështira për t’u realizuar. I pari është Rafael Leao, që shihet si përforcimi perfekt për krahun e majtë të sulmit. Problemi është se Milani e ka vendosur në qendër të projektit të ri dhe nuk do të heqë dorë lehtësisht prej tij.Emri tjetër është ai i Kenan Jilldiz, që po spikat te Juventusi. Edhe në këtë rast, bardhezinjtë nuk kanë ndër mend të largojnë lojtarin pa marrë maksimumin e potencialit të tij, ose pa siguruar në këmbim një shifër shumë të lartë, që për momentin Barcelona nuk ka mundësi ta shpenzojë. Kësisoj, katalanasit do të fokusohen te dy emrat e parë duke u munduar të mbyllin gjithçka brenda kësaj fundjave me njërin prej tyre.





