Situata ekonomike e Barcelonës është kritike, por këtë javë u hodh dritë mbi shifrat konkrete dhe mbi borxhin e madh që kanë katalanasit në palët e treta. Ky borxh është i lartë deri në 1.1 miliardë euro dhe mungesa e likuiditetit vështirëson situatën në klub.
Mungesa e të ardhurave ka detyruar klubin që të mos paguajë rrogat për futbollistët.“Cadena Cope” zbulon se ata nuk janë paguar dhe janë në bisedime të vazhdueshme. Një prej tyre është Lionel Mesi, futbollisti më i paguar në botë.
Barcelona duhet që të çonte në llogarinë e kapitenit të saj në fundin e muajit janar 72 milionë euro, të cilat korrespondojnë me kontratën e këtij sezoni. Për momentin, Barcelona ka paguar vetëm 8.5 milionë euro dhe i detyrohet 63.5 milionë euro futbollistit. Në këtë shifër llogaritet rroga e tij si lojtar i këtij klubi dhe të drejtat e imazhit.
Por, kriza ekonomike ndikon në skuadër dhe disa futbollistë janë ulur në bisedime me klubin për të folur në lidhje me kohën kur do të bëhen pagesat. Me këtë akord të arritur paraprakisht, Barça “shpëton” 172 milionë euro. Ky akord ka prekur të gjithë lojtarët, përfshirë edhe Leo Mesin.Më parë ata që arritën marrëveshjen me klubin ishin Pike, Lengle, De Jong dhe Ter Shtegen.
Përpara disa ditësh nga klubi u mësua që nuk u pagua asnjë rrogë edhe për lojtarët e akademisë, pjesë e të cilëve është edhe Rei Manaj. Gjithçka ka ndodhur në një situatë kur u publikua kontrata e Mesit me katalanasit.
Sipas “El Mundo”-s, futbollisti argjentinas firmosi kontratën në vitin 2017, prej së cilës do të përfitonte 555 milionë euro për 4 vite. Kjo gjë ka shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë dhe tifozët mendojnë se Leo është ai që ka shkaktuar probleme të mëdha ekonomike.





