Edhe impenjimi social ka një çmim. Barcelona në ditët e kaluar u pozicionua në favor të ditës së krenarisë Gay, diçka që irritoi një pjesë të madhe të tifozërisë së klubit, duke paguar një çmim me shumë ndjekës që e braktisën në rrjetet sociale.

Klubi nga “Camp Nou” ishte një ndër 10 klubet e La Ligas që postuan në rrjetet e tyre sociale mesazhe në mbështetje të festës së komunitetit LGBT.

Në dy ditë 9 nga 10 klubet që e bënë diçka të tillë humbën ndjekës, vetëm Las Palmas ka fituar. Llogaria në Instagram e Barcelonës ka më shumë se 122 milionë ndjekës, dhe ka humbur plot 439 mijë e 661 ndjekës vetëm në 48 orë.

Një shifër domethënese nëse merret parasysh se vetëm një javë më parë llogaria e Barçës fitonte rreth 35 mijë ndjekës të rinj çdo ditë.

Ai që vuri në dukje çështjen ishte gazetari katalanas, David Saura, që postoi të dhënat nga llogaria e tij në Twitter duke paralajmëruar klubin.