Lionel Mesi vazhdon të shqetësojë Barcelonën, sepse ende nuk është kthyer në stërvitje me grupin. Pasi braktisi kombëtaren e Argjentinës për shkak të problemeve fizike dhe nuk luajti dje ndaj Kamerunit, Leo nuk është në formë për të punuar me grupin e futbollistëve.
Duket se “Pleshti” po i përdor këto ditë për të qëndruar më shumë me familjen dhe për të marrë disa dhurata speciale. Ditën e djeshme, në duart e tij ishte një telefon celular që kushton afro 4 mijë euro. Kompania “iDesign Gold” i dhuroi këtë telefon të veshur me flori 24 karat.
Një iPhone XS Max i larë me flori, versioni normal i të cilit kushton afro 1.400 dollarë. Sigurisht që i personalizuar për Leon vlen trefishin. Specifikisht, në të janë gdhendur disa nga simbolet e jetës dhe karrierës së Leo Mesit.
Bëhet fjalë për numrin që mban në fanellë, emrat e bashkëshortes dhe fëmijëve: Tiago, Çiro dhe Mateo. Nuk mungojnë të stampuara as stemat e Barcelonës dhe kombëtares së Argjentinës.
Nuk përfundojnë këtu dhuratat për “Pleshtin”, pasi “Adidas” i kishte dërguar një palë atlete të personalizuara me serialin e njohur “Game Of Thrones”, duke e etiketuar Mesin si mbreti i “Kamp Nou”-t.
Një palë atlete stërvitore dhe jo për të luajtur gjatë ndeshjeve. Kapiteni i Barcelonës i tregoi ato në rrjetet sociale dhe ky version tërhoqi vëmendjen e fansave dhe mediave të mëdha ndërkombëtare. Sigurisht, çdo gjë rreth Mesit përbën lajm.





