Barcelona rikthen në shtëpi Gerard Deulofeun. Klubi Katalan ka ushtruar të drejtën për riblerjen e 23-vjeçarit nga Evertoni për 12 milionë euro. Në fakt sezonin e kaluar talenti spanjoll luajti i huazuar te Milani, ku shkëlqeu me 4 gola në 17 ndeshje gjatë fazës së dytë të Serisë A.

Pikërisht paraqitja pozitive te kuqezinjtë i bindi drejtuesit Blaugrana që të shpenzonin 12 milionë euro për një lojtar që po kërkohet nga shumë klube të Europës. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje është bërë për t’ia bashkuar futbollistin organikës së Ernesto Valverdes, apo për ta huazuar në një ekip tjetër ku do të ketë mundësi të luajë në vazhdimësi.

Nëse do të qëndrojë në Spanjë, Deulofeu do ta ketë shumë të vështirë të spikasë nën hijen e tredhëmbëshit të famshëm Messi-Suarez-Neymar. Dëshira e tij për të qenë pjesë e Spanjës në finalet e Botërorit Russi 2018, mund ta shtyjë të gjejë një skuadër tjetër, ku mund të ketë një rol protagonisti. Nuk përjashtohet mundësia që Barcelona ta shesë sërish, sigurisht për një çmim më të lartë se 12 milionë euro, duke përfituar financiarisht.