Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka zbuluar se stadiumi i ardhshëm në qendrën stërvitore të klubit do të marrë emrin e legjendarit Johan Cruyff. Në kompleksin aktual zhvillon stërvitjet skuadrat e para dhe në impiantin që do të marrë emrin e Cruyff, pas rinovimit, i zhvillojnë ndeshjet skuadrat e të rinjve. Ky mini-stadium ka rreth tij edhe pesë fusha të tjera me bar natyral dhe katër me artificial që formojnë kompleksin që quhet “Ciutat Esportiva Joan Gamper”, në nder të themeluesit të klubit Gamper, që u përorua më 1 qershor 2006. Gjithsesi u zyrtarizua se në vitin 2015, Barcelona do të ndërtojë një stadium të ri në këtë kompleks dhe do të mbajë emrin e Johan Cruyff.
“Stadiumi i ardhshëm në kompleksin tonë stërvitor do të mbajë emrin e Johan Cruyff dhe në hyrje të tij do të jetë një statujë e madhe e holandezit që është një nga legjendat e klubit tonë,” – tha presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu. Të premten mbushet një vit nga ndarja nga jeta e Cruyff, i cili humbi betejën me kancerin. Ai ka qenë një ikonë e futbollit të Barçës me pesë sezone si futbollist dhe pesë si trajner, të mbushura me trofe.