Klubi i Barcelonës ka vendosur që të mos presë më lojtarët dhe ka vendosur në mënyrë të njëanshme t’u shpallë luftë atyre duke shkurtuar rrogat e futbollistëve për periudhën e kohëzgjatjes së ndërprerjes të aktivitetit si pasojë e koronavirusit.
Drejtuesit dhe përfaqësuesit e lojtarëve po negocionin prej dy ditësh, bisedime ku u përfshinë edhe FIFA e ECA, por nuk u gjet gjuha e përbashkët.
FIFA ishte munduar që të ndihmonte në negociata që rrogat të shkurtoheshin me 50%, pasi mendonte se nëpërmjet shembullit të katalanasve, do të bindte dhe klubet e tjera kudo në botë që të vepronin në të njëjtën mënyrë, por akordi nuk u arrit dhe Barcelona vendosi të mos priste më Mesi & Co, duke paralajmëruar se nuk përballonte dot shpenzimet për ata.
Ndaj bordi doli me një komunikatë ku bënte të ditur se do të kishte ndërhyrje dhe se një pjesë e pagesave që kishin lidhje me departamentin e sportit dhe të administratës do të pësonin shkurtime.
“Ky është një reduktim i ditës së punës, i imponuar nga rrethanat dhe masat mbrojtëse në fuqi, ndaj si rrjedhojë vjen edhe reduktimi proporcional i përfitimeve që rrjedhin sipas kontratave përkatëse”, shpjegohej në komunikatën e klubit, por ku nuk bëhej e qartë sa ishte përqindja e shkurtimit.





