Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i këtij grupi, Gazment Bardhi dha një deklaratë për mediat.

Bardhi u pyet rreth një deklarate të Agron Dukës sipas të cilit, që opozita të fitojë zgjedhjet e vitit 2025, duhet të bëjë koalicion të gjerë opozitar.

Bardhi tha se në këtë koalicion është i mirëpritur çdo kush që e ndjen veten kundërshtar të Edi Ramës.

Në lidhje me Lulzim Bashën, Bardhi me ironi tha se “nuk është misioni im të kërkoj të humburit”.

“Besoj qëndrimi im është publik. Kushdo që ndjehet në opozitë me qeverinë e Edi Ramës t’i bashkohet frontit opozitar. Këtë pyetje bëjani zotit Basha. Nëse është fshehur kërkojeni. Pyesni zotin Basha nëse është në opozitë. Unë nuk e shikoj fare siç nuk e shikoni ju. E kam parë vetëm një herë të vraponte kur duheshin votat në seancë të ligjit të çimentimit të kapjes nga Edi Rama të Gjykatës Kushtetuese dhe besoj nga ajo ditë ka humbur nga vështrimi. Nuk e kam kërkuar sepse nuk është misioni im të kërkoj të humburit”,-tha Bardhi.