Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, tha të enjten se asnjë militant i PD nuk ka djegur asnjë KZAZ në Bushat, teksa deklaratën e ministrit të Brendshëm e quajti shpifje.
“Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe shpifjen e Ministrit të Brendshëm, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga Qeveria, për të inkriminuar opozitën. U bëjmë thirrje mbështetësve tanë të mos bien pre të këtij skenari dhune”, tha Bardhi, në një postim në rrjetet sociale.
Sekretari i Përgjithshëm tha se Partia Demokratike “është në dijeni të planit kriminal që është hartuar me gjakftohtësi nga Edi Rama, dhe që ka disa ditë që po tentohet të vihet në jetë. E siguroj në emër të Partisë Demokratike se do të dështojë, pavarësisht retorikës konfliktuale të vazhdueshme apo përhapjes së panikut tek qytetarët dhe bizneset private.”
Më herët të enjten, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shkroi në rrjetet sociale:“Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë!”
Sipas policisë, 3 policë që ishin në shërbim mbetën të plagosur nga sulmi me molotov në KZAZ nr 6 në Bushat të Vaut të Dejës.





