Kreu i Grupit Parlamentar te PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh se kryetari i Kuvendit, po shkel hapur rregulloren duke propozuar që një mocion i depozituar të diskutohet pas pesë muajsh, ndërkohë që afati ligjor maksimal është 30 ditë.
Në seancën plenare, Bardhi akuzoi gjithashtu mazhorancën për mosinformim dhe përjashtim të qëllimshëm të opozitës nga procesi i integrimit evropian, duke theksuar se për gjashtë muaj rresht kërkesat për listën e ligjeve të nevojshme nuk janë marrë parasysh.
Bardhi ritheksoi se çdo ligj që lidhet me integrimin do të marrë votën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke kërkuar transparencë dhe bashkëpunim të plotë nga mazhoranca.
“Për kërkesën që sapo hodhët në votim është në shkelje të rregullores së kuvendit, rregullorja e kuvendit, pika 2 e nenit 98, ju detyron që të propozoni kur nuk ka mirëkuptim një datë që nuk mund të jetë kurrë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Se di me matematikën tuaj e llogarisni 30 ditë 5 muaj, sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë apo të dytë të majit, në shkelje të rregullores. Për të vijuar me listën që tundi kolegu, grupi i PD ka kërkuar listën e draftligjeve që ky kuvend duhet të miratojë në kuadër të integrimit. Ka kaluar në 6 muaj, se kush është lista e ligjeve të nevojshme në kuadër të procesit. E kemi kërkuar më shumë se 10 herë. Dhe vini këtu e tundni një listë ju nuk keni votuar ligjet. Nga ta dimë se kush janë ligjet ku jemi të përjashtuar nga procesi. Na i jepni t’i dimë se kush janë ligjet, ne nuk jemi këtu fasadë e juaj,“ tha Bardhi.





