Deputeti i opozitës, Gazment Bardhi, ka fajësuar mazhorancën për situatën në të cilën ndodhet sot Kuvendi i Shqipërisë.
Duke fokur në foltoren e Kuvendit, Bardhi tha se pre 3 javësh po shkelen të drejtat e opozitës.
“Prej tre javëve mazhoranca socialiste e ka futur Kuvendin e Shqipërisë në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të tij. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja juaj znj. Kryetare, dhe më pas me votime antikushtetutese, ju keni marrë vendimin për të asgjesuar opozitën në Parlament.
Kurrë në historinë e ketij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të shndërrojë veten në specialiste arkive të një partie, duke injoruar Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedh në votim të drejtat e opozitës dhe kundërshtari politik të ketë votuar për ti asgjesuar ato.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që të votohet pa i dhënë as të drejtën e fjalës opozitës për të sqaruar kërkesat e saj.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca ti diktojë opozitës se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në Komisionet Parlamentare.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda një viti 8 kërkesa për Komision Hetimor, pa dhënë asnjë shpejgim, pa bërë asnjë përpjekje për të gjetur konsensus.
Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që 31 deputetë të opozitës të përjashtohen pse nuk pranojnë poshtërimin që po tenton ti bëjë mazhoranca. Kurrë.
Pse e bëni ju këtë se jeni të fortë, jeni shumicë në popull, jeni duke qeverisur mirë? Jo! E bëni sepse jeni të mbuluar çdo ditë nga skandalet dhe doni të shuani edhe zërin e opozitës në Parlament”, tha Bardhi.