Gazment Bardhi ka propozuar miratimin e një Rezolute për Kosovën, që sipas tij duhet të harmonizohet qëndrimi me Kuvendin e Kosovës.

Sipas Bardhit, duhet të nisë hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë, dhe se Shqipëria duhet të veprojë në mbështetje të Kosovës.

“Fjalët që ndryshojnë sipas orëve të Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë nuk kanë asnjë vlerë. Është koha që Republika e Shqipërisë të veprojë në mbështetje të Kosovës.

Rezoluta e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës duhet të miratohet pa asnjë vonesë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Si kryetar i Grupit Parlamentar të PD do të propozoj një mocion me debat mbi këtë çështje dhe në përfundim të të cilit, do të propozojmë miratimin e Rezolutës.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të harmonizojë plotësisht qëndrimin e tij me Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga qeveria shqiptare, që në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë, të kërkojë dhe nxisë një hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë, lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, thuhet në deklaratën e Bardhit.