Sekretari i PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit shkruante në Twitter  se opozita po zvarrit procesin e hapjes së listave më 30 korrik.

Bardhi konfirmon se Opozita e Bashkuar është 100% dakord për hapjen 100% të listave dhe është gati të punojë për këtë në një proces gjithpërfshirës, të hapur dhe pa vonesa.

“Heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal i ER me zgjedhjet e ardhshme dhe halli i krimit të organizuar me Qeverinë e ardhshme. Këtë nuk ta zgjidh dot PD dhe Opozita e Bashkuar, sepse ne koalicionin e kemi me qytetarët dhe jemi të vendosur ta ruajmë dhe ti shërbejmë vetëm interesit të Shqipërisë/shqiptarëve. Aktet e njëanshme të koalicionit të krimit të organizuar marrin peng Shqipërinë dhe minojnë zgjedhjet dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Opozita e Bashkuar është 100 % dakord, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Për këtë jemi të gatshëm të punojmë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, pa ndërprerje dhe pa asnjë vonesë.”, shkruan Bardhi në Twitter