Raporti yt me Durrësin dhe durrsakët, është njësh dhe këtu e ka zanafillën respekti që të shoqëron, sa herë vjen në këtë që është vendi ynë i lindjes.
Të presim me datën 2, tek kafja e jonë, tek kafja më origjinale, më e mira në botë, tek kafja e durrsakëve!
Nga BUJAR QESJA
18 tetor 2024! Bardhyl Agasi në këtë ditë, është në jubile. Rrumbullakos 75 vite frymëmarrje. Sa shaka kemi bërë, për këtë ditë të lindjes. Nga 15 deri me 18 tetor, shumë emra të njohur të politikës, kanë ditën e lindjes.
E mor Bardhyl, je futur edhe ti krejt pa dashje në këtë dëndësi ditëlindjesh, me emra të njohur historikë, të mirë apo jo të tillë, le ta gjykojnë ato që merren me këtë punë! Por ajo që më intereson se një shok i imi, i kohës së vegjëlisë, djali i Fitnetes dhe i Hasanit, është në 75 vjetorin e lindjes.
Më takonte të shprehesha kësisoj, pasi gati bashkëmoshatori im, një djali flori i Durrësit, madje po e shtrij pak më tej-mburrja e jonë, është në eveniment jetësor. 900 muaj, apo 27.000 ditë jetë të konsumuara, të lëna pas, për të parë nga ecuria e mëtutjeshme të arritjes së kuotave të reja dhe sfiduese.
Bardhyl Agasi është lindur në Durrës. Gjithë veprimtarinë e ka në Durrës. Është lidhur pazgjidhmërisht me Durrësin, por finalia e jetës e çoi në Tiranë, atje ku jetojnë dy fëmijët e tij Viola dhe Ergysi, atje ku ka lindur dhe ka familjen e origjinës, e shoqja Besa e urtë dhe fisnike. Sido që të jetë, e sido që të shkojë, Bardhyl Agasi është “pronë” e patjetërsueshme e Durrësit dhe ska shans të ketë mbivendosje. Jeta, puna, angazhimi, përpjekjet, investimi në gjithçka i Bardhyl Agasit është në Durrës.
Për kuriozitet të lexuesit, ne shokët e miqtë e tij, datën 2 të çdo muaji, e quajmë “dita e Bardhyl Agasit”. Është treguar shumë finok Bardhyli, por nga të gjithë në Durrës thërritet Bardhi, sepse ashtu e ka ndërtuar jetën, të bardhë si vetë shpirti i tij, për të na qetësuar sadopak, pasi nuk e pritëm mirë largimin e tij për në Tiranë, ka bërë që pensionin ta ketë këtu. Me datën 2 të çdo muaji, Bardhyl Agasi falë këtij sebepi vjen në Durrës, merr pensionin dhe na qeras me nga një kafe.
Data 2 është aq e fuqishme për ne, sa që ia mundim 29 apo 30 ditët e tjera Bardhylit në Tiranë. Por më e bukura qendron, se Bardhi atë ditë len shumë takime, duke krijuar mangësi tek të gjithë ne të tjerët, kohën që e donim ta kishim për t’u çmallur.
Bardhyl Agasi, është pikë referimi i dashurisë dhe respektit për shokët, miqtë, për të afërmit, për çdo durrsak, pasi e njeh këtë Durrësin tonë në çdo pëllëmbë. Nuk ka qokë që të mos e kryejë, si për të mira ashtu edhe në hidhërime, aq sa mendojmë se Bardhyli ishte, është dhe do të mbetet tërë kohën i yni, i Durrësit të vendlindjes tonë të përbashkët.
75 vite jetë! 900 muaj jetë! 27.000 ditë jetë! Deri në këtë moment janë konsumuar nga shoku ynë i shtrenjtë, durrsaku ynë i ëmbël, miku i patjetërsueshëm dhe shumë i betuar i joni Bardhyl Agasi. Punë të rënda ka patur. Është marrë edhe me politikë, pasi kërkonte të jepte angazhimet e tij në dobi të mirqenies së njerëzve, në zbutjen sadodpak të halleve dhe sikleteve të tyre.
Me meritë iu ofrua edhe një vend në parlamentin, e këtij që quhet vendi ynë. Dhe karrikja parlamentare mbeti e pastër, si vetë karakteri dhe shpirti i tij. Bëri mësuesin, pasi studioi për gjuhë letërsi. Bëri punonjësin e kulturës, duke e nisur nga masovik në pallatin “Rinia”, e duke përfunduar në drejtor të teatrit “A. Moisiu”.
I talentuar në letërsi. Ka bërë poezi, tregime, novela, deri në romane. Por nuk e lëshoi kurrë nga duart, nuk bëri kurrë kompromis me armën më aktive, më të efektshme, dashurinë dhe respektin për njerëzit, veçanërisht për ato në nevojë.
Bardhyl Agasi mbretëron lehtësisht në Durrësin e tij, pikërisht për këtë karakter, për këtë ego, për këtë bast me veten, që t’u sherbejë dhe të jetë kurdoherë ndihmës i njerëzve. Kanë të drejtë durrsakët që e duan birin e tyre, pasi edhe ai e bashkon frymëmarrjen, me frymëmarrjen e çdo qytetari të vendlindjes së tij.
Ngarkesat në punë, angazhimet e mëdha në dobi të njerëzve, ia munduan trupin, ia lodhën shtatin, ia drobitën fizikun e brishtë. Goditje në zemër, operacione, ndërhyrje të tjera kirurgjikale, stenda në enë dhe damarë të dëmtuar dhe të gjitha të kaluara me sukses. Ashtu siç ka zemrën, ashtu edhe Zoti po sillet me të.
Bardhyl Agasi në 75 vjetorin e lindjes. Është 18 tetori, dita e tij. Është dita e një njeriu të thjeshtë dhe shumë modestë. Është dita, e një të përkushtuari ndaj shoqërisë, familjes dhe të afërmëve. Është dita, i një shoku dhe miku të madh. Është dita, e dashnorit të letërsisë. Është dita, i një durrsaku të betuar. Dhe ky quhet Bardhyl Agasi.
I detyruar t’i shkruaja këto rradhë, pasi së bashku na kanë lidhur familjet tona, na ka lidhur mosha dhe interesat e përbashkëta, për ta përballuar jetën me ndershmëri dhe sinqeritet, por na ka lidhur shumë edhe Durrësi me durrsakët tanë, të cilëve i përkushtohemi maksimalisht me mënyrën tonë.
Jam i bindur se me këto rradhë kushtuar 75 vjetorit të lindjes tënde, i dashuri shok, i nderuari mik Bardhyl Agasi, kam miratimin e çdo njeri që i lexon këto, por veçanërisht durrsakët që të deshën, të duan dhe do të duan edhe më tej. Raporti yt me Durrësin dhe durrsakët është njësh dhe këtu e ka zanafillën, respekti që të shoqëron sa herë vjen në këtë qytetin tënd të lindjes.
Gëzuar Bardhyl! Gëzuar Bardhi! Gëzuar shok, mik dhe vëlla! Të paçim gjithnjë pranë! Të presim me datën 2, tek kafja e jonë, tek kafja më origjinale, më e mira në botë, tek kafja e durrsakëve!