S'do të guxoja kurrë që ky shkrim i imi të merrej si një polemikë me regjisorin dhe artistin tonë të shquar, Mihal Luarasi. Që kur isha student i Letërsisë, isha ndër admiruesit e tij të shumtë dhe vazhdoj të ndjej respekt të madh për këtë figurë me aq vlera të artit tonë. E kam ndjekur në tërë veprimtarinë tij artistike, si në periudhën e diktaturës, por edhe në atë të demokracisë, e kam vlerësuar dhe për qëndrimet e tij objektive, kurajoze, qytetare në të gjitha intervistat dhënë në median e shkruar dhe vizive. Mendoj se kontribute dhe vlera të tilla duhet të na prijnë edhe në të ardhmen në rrugën e vështirë të artit. Por lexova një intervistë të tij në "Gazetën Shqiptare", në të cilën më shumë nga mendimet dhe idetë e tij për teatrin bie dakord. Veç një mendim i tij se drejtorët e teatrit në regjimin e kaluar kanë qenë censorë politikë më bëri të ndjehem jo mirë, duke qenë se edhe vetë kam punuar për gati tetë vjet si drejtor i Teatrit "A.MOISIU" të Durrësit. Në periudhën kur unë isha në atë detyrë, regjisori i madh vuante brenda hekurave të burgut të diktaturës, apo pa asnjë të drejtë për të ushtruar profesionin e tij. Me miq të mi të teatrit apo letërsisë shpesh nëpër bisedat tona përmendnim dhe Mihal Luarasin. Është e vërtetë se drejtorët e teatrit, ashtu si të gjithë drejtuesit e tjerë të të gjitha fushave ishin të emëruar politikë, por unë nuk mund të pranoj edhe mendimin e shprehur se ata ishin censorë politikë, ose për të qenë më të saktë, me një mendim të tillë kategorik. Ndoshta vetë zoti Luarasi duhet të ketë mendimin se drejtorët e teatrit ishin dhe më të rrezikuarit në atë regjim, madje një i tillë provoi dhe burgun si vetë regjisori. Unë kam njohur disa nga drejtorët e teatrove dhe nëpër rrethe, të cilët ishin njerëz intelektualë të formuar, të aftë dhe të lidhur me teatrin, ashtu siç kam njohur dhe nga ta që ishin vetëm të besuar politikë. Menjëherë pas intervistës së z.Luarasi, më kanë shprehur një lloj indinjate mjaft miq dhe qytetarë, duke mos më konsideruar si një i tillë, një censor politik, duke u nisur nga vete veprimtaria ime si drejtues teatri. Dua të kujtoj se gjatë asaj periudhe Teatri i Durrësit vuri në skenë drama dhe pjesë të tilla si "Lebra" e H.Belit, "Ylli pa emër" të M.Sebastianit, "Ngjarje skandaloze" të Xh.Pristlit, "Përshpirtje në shtëpinë e Matildës" të Diazit, e cila aludonte për rrëzimin e monumentit, kur ende nuk ishte pluralizmi, apo edhe dramën "Shtëpia e lepujve" të Z.Çelës, një komedi të R.Pulahës etj. Po kështu, edhe trupa e estradës profesioniste godiste përmes humori fenomene të burokracisë së asaj periudhe. Sigurisht duke përmendur këto, nuk dua të shprehem se drejtorët e teatrit ishin kundërshtarë të regjimit dhe luftonin me kurajo. Në një roman timin të titulluar "Papagajtë e mbramë" jam munduar të pasqyroj jetën artistike, të një trupe teatrore në atë periudhë, censurën dhe mediokritetin, që rëndonte mbi artin. Unë nuk mohoj se kam qenë i emëruar politikisht dhe se kam vazhduar të jem njeri politik edhe në këto dy dekada të tranzicionit, por nuk mund të mbaj mbi supet e mia të dobëta edhe këtë përkufizim si një ish-censor politik, si një ish-drejtor i një prej teatrove më të njohur të vendit. I lutem profesor Luarasit të më kuptojë, duke e siguruar se mbetem gjithmonë një admirues i tij.
*Ish-drejtor i Teatrit të Durrësit "Aleksandër Moisiu"
Ky shkrim eshte reagim per shkimin e botuar ne “Gazeta Shqiptare” qe mund ta gjeni ne kete link: http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=149272





