Durrës, 24 tetor 2014 – Efektivët e Rojes së Financës zbuluan brenda akuatoriumit të Portit të Brindizit një barkë me vela gjysëm të mbytur. Nga hetimet e financierëve rezultoi se velieri 18, 9 metra i gjatë ishte një mjet lundrimi turistik shqiptar me emrin “Mediterran” me port regjistër Durrësin.

Rezultoi, që mjeti kishte hyrë kontrabandë në Portin e Brindizit dhe nuk kishte paguar jo vetëm detyrimet doganore, por edhe taksat përkatëse për regjistrimin nga Regjistri detar italian si dhe  pajisjen e mjetit detar me flamur italian. Këto detyrime shkojnin në shumën 24 771 euro.

Financierët denoncuan 6 italianë nga Bari, Brindizi dhe Taranto jo vetëm për kontrabandë, por edhe për mashtrim në dëm të autoriteteve të Rajonit të Puljes. Mashtruesit kishin marrë një shumë prej 100 000 Euro nga Rajoni i Puljes si kontribut për nxitjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme në fushën e turizmit. Sipas mashtruesve, velieri kishte 5 kabina, dushe, aneks gatimi etj. dhe do shërbente për turizëm gjatë sezonit të verës. Në fakt velieri nuk kishte as kabina, as dushe, as ambiente gatimi, madje as impiant elektrik.

Thjesht ishin futur në xhep fondet e dhëna nga Rajoni i Puljes, për zhvillimin e turizmit dhe barka me vela ishte lënë të mbytej brenda akuatoriumit të Portit të Brindizit. Banda e mashtruesve krahas përballjes me drejtësinë duhet të paguajë 24 771 Euro taksa e detyrime finaciare si edhe t’i kthejë mbrapsht autoriteteve fiskale të Rajonit të Puljes 100 000 Eurot e përfituara me anë të mashtrimit.

Finacierët italianë në bashëkpunim me kolegët e tyre të vendosur prej vitesh në Durrës, po hetojnë, nëse ky mjet detar doli nga Porti i Durrësit duke zbatuar të gjitha praktikat ligjore të nevojshme. Nëse u bë crregjistrimi i mjetit nga Rregjistri detar shqiptar. Nëse u kryen praktikat doganore për eksportimin e velierit nga Shqipëria dhe nëse u morr Leja e nisjes nga Kapitaneria e Portit të Durrësit para se velieri të lundronte drejt Brindizit.

Financierët po hetojnë edhe për ekujpazhin, që lundroi me velierin nga Durrësi në Brindizi.

/Gj.Tha. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/