Muzika baroke dhe ajo klasike ishin kryefjala e dy koncerteve të fundit në Bienalen “Netët e Muzikës Klasike” që po zhvillohet në Durrës. Bashkë me ansamblet interpretuese, të pranishmit kanë shijuar edhe verërat e kantinave lokale dhe të huaja, që janë bërë pjesë e këtij edicioni me temë “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”.
Orkestra rinore e Durrësit (ORD) në mbrëmjen e muzikës baroke solli për dëgjuesit “Musique de Table” dhe “Suite 1707” nga Zhan Baptist Luli (1632-1687). Nën drejtimin e dirigjentit Florian Vlashi interpretët e rinj vijuan koncertin me disa pjesë nga Zhan Filip Ramo (1683-1764), duke fituar edhe duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallën e hotel “Adriatikut” në plazhin e Durrësit. Violonçelisti 15-vjeçar Martin Vlashi, së bashku me orkestrën ishte protagonist i “Këngëve” nga Xhirolamo Freskobaldi (1583-1643).
Solistët Laura Llozi dhe Florian Vlashi e mbyllën me sukses mbrëmjen e kaluar, duke interpretuar në koncertin për dy violin nga Antonio Vivaldi (1678-1741).
Një atmosferë tjetër artistike u ndje në koncertin pasardhës të muzikës klasike, ku u luajtën vepra nga Haydn, Mozart dhe Beethoven.
Daniel Vlashi (violinë) që studjon në Francë dhe Gjermani, Juliana Laska (violonçel) profesore në Francë dhe Zamir Kabo (piano) që studion në Gjermani interpretuan si duete dhe trio disa nga veprat e kolosëve të muzikës klasike.
Pas koncertit spektatorët ndoqën në video përshëndetjen e këngëtarit të mirënjohur Italian Albano Carrisi, I cili kishte sjellë në Bienale verë të prodhuar nga vreshtat e tij. Njohja dhe shijimi i verërave franceze, italiane dhe austriake shoqëruar me spjegimet e somelierit Dashamir Elezi mbyllën pjesën zyrtare të këtyre koncerteve.
Bienale 2019 do të mbyllet më 7 gusht, me koncertin e organizuar në Amfiteatrin antik të qytetit.
G.K.