TIRANE, 16 prill 2013TIRANE- Shefja e diplomacisë Europiane, Catherine Ashton vizitoi sot Tiranën, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Takime me Nishanin, Berishën e Ramën. Në përfundim të takimeve, baronesha Ashton përcolli mesazhin e Brukselit për Shqipërinë, në këto prag zgjedhjesh parlamentare. Ashton denoi retorikat nacionaliste në Shqipëri, thirrje palëve: 'Kompromisi, çelës për progresin' 

Në takimin e zbardhur me Presidentin Nishani, Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm. Takime me Berishën dhe Ramën. Vizita e Baroneshës Ashton në Ballkanin Perëndimor është një mesazh i fortë i BE-së për liderët e rajonit të Ballkanit, për tu fokusuar në reformat e nevojshme për integrimin në BE.

ASHTON: KUJDES ZGJEDHJET, TEST PËR SHQIPËRINË. SHQETËSUES VOTIMI DJE NË PARLAMENT 

Ashton gjatë një konference për shtyp bëri të ditur konkluzionet e takimeve që kreu sot me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama. 

Në përfundim të takimeve, baronesha Ashton përcolli mesazhin e Brukselit për Shqipërinë, në këto prag zgjedhjesh parlamentare. Baronesha theksoi se BE po ndjek me vëmendje çdo zhvillim në përgatitjen e procesit zgjedhor ndërsa garantoi se ndërkombëtarët do monitorojnë procesin zgjedhor. 

“Jam vërtet e lumtur që gjendem në Tiranë për këtë vizitë, sapo jam takuar me Z.Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, z Edi Rama, me të cilët pata diskutime të rëndësishme. 
Vizita ime në Shqipëri ndodh sot një ditë pas diskutimeve të nxehta në parlament për përgatitjen e zgjedhjeve, ju kemi ndjekur me vëmendje dhe sot unë e kam bërë pozitën time të qartë në të gjitha palët. 
Për BE është e një rëndësie thelbësore që zgjedhjet parlamentare të këtij viti të jenë në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Ky do jetë test për integrimin e mëtejshëm në BE
Dje ne shprehëm publikisht shqetësim tonë për pasojat e mundshme të votimit në Kuvend, tek besimi në procesin zgjedhor, se është detyrë e institucioneve që të krijohet besim në këtë proces, duhet të ketë besim në këtë proces. 
BE është i angazhuar për të monitoruar dhe mbështetur një proces të lirë e të ndershëm me standarde europiane dhe ndërkombëtare”. 

Më pas Catherine Ashton vlerësoi se progresi është në duart e shqiptarëve por celësi për arritjen e progresit është vetë kompromisi. Ashton uroi që shqiptarët të punojnë për perspektivën europiane pasi mbështetja nga Brukseli nuk mungon. 

“Në përgjithësi gjatë viteve të shkuara, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Shqipëria është sot një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, i Organizatës për Siguri në Europë si dhe e NATO-s. Po, ashtu BE është vërtet i përkushtuar dhe shumë i përkushtuar në perspektivën europiane të Shqipërise dhe BE dëshiron që Shqipëria të ecë përpara në progres. Por progresi në rrugën drejt BE është në duart tuaja. 

Elementet kyç për progres janë një element kyç për gjetjen e kompromiseve
Ne kemi nevojë të shohim historik të qëndrueshëm veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit e krimin e organizuar, siç është thënë në konkluzionet e KE në dhjetor. Komisionieri Fyle për të cilin kam respekt është tërësisht i angazhuar për t’ju ndihmuar dhe po ashtu ka mbështetjen e plotë nga ana ime”. 

Retorikat nacionaliste, Ashton: Shmangini për të mirën e Rajonit 

“Më lejoni të them dhe pak fjalë për rolin e Shqipërisë në rajon, rol që e vlerësojmë. Natyrisht që të ruhet ky rol konstruktiv duhet të shmanget diskursioni nacionalist. Lipset që Shqipëria të vazhdojë rolin e vet tradicional konstruktiv në rajon, për stabilizim të rajonit dhe që ky rajon të ecë përpara. Unë kam besim dhe besoj se Shqipëria i ka kapacitetet që të ecë përpara. 

Prandaj mesazhi im për ju sot është një mesazh mbështetjeje, por edhe mesazh pritshmërie të lartë dhe si një vend kandidat për në BE duhet të ndërmarrë këto sfida dhe BE është me ju për t’ju ndihmuar”. 

PERFUNDON TAKIMI ASHTON – RAMA 

Baronesha Catherine Ashton ka përfunduar në orën 13:30 takimet në Tiranë, me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama. Për të dhënë detaje rreth vizitës së saj në Tiranë dhe temat e biseduara në takimet me krerët e shtetit shqiptar, përfaqësuesja e lartë e BE-së doli në një konferencë për mediat. 

ASHTON-NISHANIT: POLITIKANET SHQIPTARE TE TREGOHEN TE PERGJEGJSHEM

Zyra e shtypit e Presidencës zbardhi takimin mes kryetarit të shtetit dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton. Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër. 
Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen. 

Nga ana e tij Presidenti Nishani garantoi Baroneshën Ashton se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Ai theksoi se sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve. 

Mësohet se një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar. 

“Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional”,- thuhet në njoftimin e Presidencës. 

PERFUNDON TAKIMI ASHTON-BERISHA, NIS TAKIMI ME KREUN E PS-se

Takimi mes kryeministrit Berisha dhe Baroneshës Ashton ka zgjatur rreth një orë. Kryediplomatja e BE-së u nis drejt selisë rozë për të zhvilluar takimin e fundit në Tiranë me liderin e opozitës Edi Rama. Më pas pritet konferenca për shtyp e përfaqësueses së lartë të BE-së. 

Shefja e diplomacisë europiane në Tiranë, takon Presidentin Nishani

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka mbërritur në Presidencë rreth orës 11:00, ku ka nisur takimin me Presidentin Nishani.

Ka zgjatur rreth 40 minuta takimi me dyer të mbyllura mes kryediplomates evropiane Catherine Ashton dhe Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

Momentalisht nuk ka informacione rreth temave që u diskutuan në takimin Nishani-Ashton.

Ndërkohë pritet konferenca për shtyp e Baroneshës, ku do të jepen detaje rreth qëllimit të vizitës së saj në Tiranë, si dhe temave që u diskutuan në takimet me krerët e shtetit shqiptar.

Baronesha Ashton u nis menjëherë drejt kryeministrisë ku po zhvillon takimin me kryeministrin Berisha.

Pas takimit me kryeministrin Berisha, shefja e diplomacisë evropiane do të zhvillojë takimin me kryetarin e opozitës Edi Rama, në orën 12:30.

Në përfundim të takimeve të parashikuara, Baronesha Ashton do të japë edhe një konferencë për shtyp.