Barra e sëmundjeve në popullatën shqiptare është duke shënuar rritje nga viti në vit, si rrjedhojë e plakjes së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, në raportet e monitorimit për vitin 2023, tregojnë se rritja natyrale e sëmundjeve kronike për 8-mujorin 2023 është 5.9% në krahasim me vitin 2022.
Kontingjenti i ri i të sëmurëve kërkon trajtimin të vazhdueshëm me mjekim falas, por fondet e rimbursimit nuk janë të mjaftueshme.
Në raportin zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dukje se fondet për rimbursimin nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar që të rritet tavani i Fondit për vitin 2023
“Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2022 është 1,83 diagnoza, ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2023 është 1,96 diagnoza.
Rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6.9% më e lartë më 2023” analizoi Ministria e Shëndetësisë.
Rritja e sëmundjeve kronike që përfshijnë rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemave të mjekimit ndikon në ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 8-mujorin 2023 janë evidentuar 74,331 raste të reja të sëmurë kronikë. të cilët kërkojnë së paku një vlerë shtesë në fondin e rimbursimit me vlerë 270,020,711 lekë, ose 3.3% më shumë.
Të dhëna të krahasueshme tregojnë se teksa barra e sëmundjeve në popullatë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, teksa fondet publike që rimbursojnë mjekimin e të sëmurëve nuk kanë ndjekur të njëjtin trend.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.
Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%/Monitor