Takimi i shefave të grupeve parlamentare të mërkurën nuk pritet të prodhojë asgjë konkrete për ta zhbllokuar situatën politike në vend.
Politikanët nuk shohin dritë në fund të tunelit dhe paralajmërojnë zvarritje të situatës.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, i ka thënë gazetës “Zëri” se mbetet vetëm dëshirë krijimi i institucioneve këtë javë, pasi që aktualisht nuk po sheh as dritë në fund të tunelit.
“Nuk po shoh zgjidhje të situatës për shkak se votat janë të përgjysmuara”, ka thënë Haliti.
Ndërkohë dy blloqet tjera politike në vend, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA, kanë vetëm një kërkesë për fituesit e zgjedhjeve.
“Të marrin pjesë në seancë dhe ta propozojnë kandidatin e tyre”.
E këto “lojëra fjalësh” analistët kosovarë vlerësojnë se ia kanë humbur plotësisht kuptimin procesit të konsolidimit të institucioneve.
Sipas tyre, është krijuar situatë e tensionuar dhe zgjedhjet e reja së bashku me ato lokale do të ishin një opsion i daljes nga situata e tanishme. /Zëri/