Tiranë, 29 qershor 2014 – Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso do të vizitojë nesër Tiranën, ku do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë. Lajmin për vizitën e Barrosos në Shqipëri e bëri Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në seancën parlamentare të së enjtes 26 qershor.

Vizita e Presidentit të Komisionit Europian vjen në një moment kur BE i dha statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Barroso do të takohet me krerë të lartë të shtetit shqiptar. Gjithashtu, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti i Komisionit Europian do të bëjë edhe një vizitë në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian

Barroso drejton Komisionin Europian, një institucion që ka rekomanduar 3 herë rresht që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/