Mbrojtësi i Borusia Dortmundit, Mark Bartra, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme pas shpërthimit pranë autobuzit të skuadrës gjermane që po udhëtonte drejt stadiumit “Sinjal Iduna Park” për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Monakos, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai u plagos në dorë dhe pas transportimit të menjëhershëm në spital u konstatua se kishte një thyerje të kyçit të dorës.
Gjithashtu copa nga xhami i thyer i autobuzit e kishin dëmtuar përgjatë gjithë krahut.Ndërkohë portieri zviceran i Dortmundit, Roman Byrki, tregoi momentin e shpërthimit për mediat zvicerane. Ai ishte ulur në autobuz ngjitur me Bartranë dhe e pa nga afër momentin kur shoku i tij i skuadrës u plagos.“Autobuzi u fut në rrugën kryesore dhe në atë moment u dëgjua një zhurmë e madhe, një shpërthim. Pas shpërthimit, të gjithë si të mundeshim u shtrimë në dyshemenë e autobuzit. Nuk e dinim se çdo të ndodhte më pas. Bartra u godit nga copat e xhamit që u thyen nga shpërthimi”, tha Byrki.