20 nëntor 2015 – “Kanë qenë dy vite të vështira për demokratët dhe me të në krah, do ta kishim më të lehtë”, nis mesazhin e tij Lulzim Basha, në kujtim të 2-vjetorit të ndarjes së parakohshme nga jeta të Sokol Olldashit.
Në një mesazh të shkurtër të postuar në Facebook, lideri i opozitës thotë që Sokolit ia ndjejnë mungesën të gjithë, duke nisur nga familja e të ndjerit e po ashtu dhe demokratëve.
“Dy vjet u bënë nga ndarja fizike me Sokolin.
Kanë qenë dy vite të vështira për demokratët dhe me të në krah do ta kishim më të lehtë.
Por njësoj sikur të ishte me ne, me kurajën, me zgjuarsinë e vendosmërinë e tij, kemi ecur përpara, kemi përballuar shumë sfida dhe jemi çdo ditë më të fortë, më të bashkuar.
Sokoli na mungon ne demokratëve dhe më shumë sigurisht familjes së tij të shtrenjtë, Keles, Glaukut, Kleitit dhe Kozetës”, shkruan Basha.
“Por unë dhe familja e tij politike, Partia Demokratike e dimë se vlerat e tij janë të gjalla dhe të forta ashtu si dëshira e vullneti i çdo demokrati për t’u bashkuar, për të ecur përpara, për të marrë përgjegjësitë e drejtimit të vendit, për ta shpëtuar Shqipërinë, për ta bërë ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë”, mbyllet mesazhi i Lulzim Bashës.
/S.L. portali DurresLajm/