TIRANË, 14 nëntor 2013 – Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar pak para nisjes së seancës parlamentare në Kuvend. Opozita kërkoi sot që cështja e armëve kimike të zgjidhet me një Referendum nga populli shqiptar duke vlerësuar si të papranueshëm asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri. Pas mbledhjes së grupit të PD, Basha bëri të ditur këtë qëndrim të opozitës ku përfshihet dhe një mocion për debat me kryeministrin Edi Rama. 

“Partia Demokratike do të depozitojë sot kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për cështjen e armëve kimike. Për një cështje kaq jetike duhet të vendosin shqiptarët me të drejtë vote dhe përmes votës së tyre vendoset e ardhmja për më të vegjlit, dhe të porsalindurit dhe ata që nuk kanë lindur ende, sepse ne kemi detyrim tua lemë vendin më të bukur në të gjitha pikëpamjet”. 
E cilësojmë të papranueshme asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri. Ne nuk kemi ngurruar dhe nuk ngurrojmë asnjëherë të japim kontributin për sigurinë e fëmijëve tanë, do e bëjmë tani dhe gjithmonë”. 

Basha ka akuzar   Ramen  duke e cilësuar si mashtrues për cështjen e armëve kimike. 

“Shqiptarët i madh dhe i vogël po pyesin cpo ndodh, ngrenë zërin përmes protestave dhe duan përgjigje nga kryeministri. 
Që nga dita e parë, PD i kërkoi me forcë kryeministrit të tregojë përgjegjësi, të jetë i hapur me popullin dhe opozitën, por dëgjuam vetëm heshtje. I bëmë thirrje mos bëjë strucin, dhe më në fund foli, por shqiptarët u indinjuan dhe më shumë. Kryeministri foli me gjuhën e mashtrimit, me pozicionin e një kryeministri arbitrar. U dëshmua se Edi Rama është 2 herë gënjeshtar dhe me publikun dhe me ndërkombëtarët që kujton se po u tregon sikur drejton një vend ku ka opozitë dhe qeveri, por në fakt është vetëm ai që drejton”.
“E nisi me mashtrime, e vazhdoi me mashtrime. Si cdo herë ka vendosur të mos e dëgjojë zërin e qytetarëve të tij, për një javë injoroi zërin e opozitës, të një populli, tani është radha jonë ti tregojmë këtij kryeministri arbitrar cfarë jemi në gjendje të bëjmë. 

Bashkë me kërkesën për referendum, PD depoziton sot dhe mocion për debat për kryeministrin mashtrues që u ka bërë gjakun ujë shqiptarëve dhe i ka përcjellë botës imazh negativ”.