Durrës, 30 maj 2014  – Ditëlindja e Bylykbashit me miqtë e tij të ngushtë ku ka qenë i pranishëm edhe Basha ka shënuar një incident të vogël në dukje, por një alarm që po e përjetojnë të pranishmit pas ikjes së tij nga lokali.

Ka dashur të jetë larg kamerave në festën e ditëlindjes  së tij deputeti Oerd Bylykbashi dhe për këtë ka zgjedhur një lokal në Porto Romano! Kështu është menduar fillimisht, ndërsa i ftuar ka qenë dhe vetë kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili kishte konfirmuar më parë pjesmarrjen e tij.

Në fakt arsyet kanë qenë të tjera dhe duket se për herë të parë në Durrës, Basha është zënë në grackë nga kurthi që i ka ngritur bashkëpunimi i fundit i Igli Carës me Oerd Bylykbashin!

Burime për gazetën që kanë qenë të pranishëm në këtë ditëlindje janë shprehur se gjithçka ka nisur normalisht, por më pas një incident i vogël ka bërë që Basha të irritohet dhe të largohet nga festa duke i kujtuar të gjithëve se për çfarë ishin mbledhur. Të ftuarit janë mbledhur në zonën e quajtur Bishti i Pallës, madje në një lokal që është ngjitur me ish repartin ushtarak dhe që është pronë e Dritan Burgiajt, një nga emrat e njohur tashmë për kreun e PD-së në Durrës si rrjedhojë e një marrëveshje që është bere mes Igli Carës dhe Oerd Bylykbashit.

I pranishëm në këtë takim, Basha ka uruar deputetin e tij për ditëlindjen ndërsa është befasuar kur Bylykbashi në fjalën e tij ka falenderuar përveç të ftuarve dhe pronarin e lokalit, i cili sipas tij është edhe kandidati kryesor për kreun e PD-së në Durrës.

Përshendetja që ka bërë Bylykbashi ka shkaktuar befasi, ndërsa më shumë ajo ka prekur Bashën, i cili ka justifikuar menjëherë pas këtij deklarimi largimin e tij duke  emotivuar me axhendën e  ngjeshur.

Por Basha nuk ka lënë pa thumbuar Bylykbashin duke i kujtuar atij se ishin mbledhur për ditëlindje dhe jo për zgjedhje. Edhe pse ai është larguar me një tjetër justifikim burimet thanë për gazetën se largimi i tij ka qenë në mënyrë demonstrative pas dekleratës së bërë nga Bylykbashi i cili ka tentuar të promovojë kreun e PD, që ka kohë që përflitet si emër, në Durrës dhe që është edhe pronari i lokalit.

“Basha është larguar në mënyrë demonstrative sapo Oerd Bylykbashi ka deklaruar se Dritan Burgija është kandidati për kreun e PD-së së Durrësit dhe të gjithë kanë vënë re habinë e tij për këtë lloj prezantimi”,-  është shprehur një nga pjesmarrësit për gazetën ndërsa ka shtuar se Basha nuk e ka fshehur inatin për këtë deklarim të Bylykbashit edhe pse u mundua të bënte ironi.

Dritan Burgija është përfolur edhe para dy muajsh si kandidat për kreun e PD në Durrës, por kjo nuk vuri në lëvizje asnjë, ndërsa marrëveshja e fhshetë që ka bërë Igli Cara me Bylykbashin duket se e kanë sjellë atë në vëmendje të demokratëve dhe madje  edhe vetë mediat  janë vënë në vëzhgimin e emrit të tij duke zbardhur CV  e plotë për një figurë që duket se do të pasojë Telitin dhe Carën jo vetëm në humbje po edhe në mënyrën se si po tentohet të  zgjidhet.

Ndërkohë mësohet se Lulzim Basha ka përgatitur edhe skemën që do të bëjë eleminimin e klaneve në votim duke sjellë sa më shumë kandidatura me qëllim që askush të mos kalojë fazën e parë për të studiuar më pas dy emrat nga i cili do të dalë kreu i ri i PD-së së Durrësit që në fakt do ta marë partinë në ditën më të vështirë që ajo ka qenë përfshirë edhe në vitin 1997.

Burime nga PD në qendër kanë bërë me dije se Basha do të sjellë rreth pesë emra për ti votuar 500 delegatët dhe nisur nga fakti se si po luhet me klane pritet që askush të mos marrë shumicën për të qenë kryetar. Pas kësaj mësohet që edhe Basha do të jetë më i orientuar për atë që ka ndodhur në Durrës po edhe për procesin zgjedhor që ka dy muaj që po zhvillohet dhe nga ku pritet të dalë lidershipi i ri lokal i kësaj partie.

/gazeta “Bulevard”/