Pas pamjeve filmike të publikuara në disa media se në primaret e Durrësit nuk kanë votuar 1546 anëtarë të PD, por shumë më pak, ka ardhur reagimi i Komisionit të Rithemelimit në qytetin bregdetar.

Përmes një reagimi në rrjete sociale, mbështetësit e Berishës në Durrës hedhin poshtë pretendimet se demokratët nuk dolën të merrnin pjesë në primare, ndërsa akuzojnë Lulzim Bashën se sajon lajme me filmime të montuara.

“Lulzim Basha dhe altoparlantët rreth tij nuk mund të fyejnë demokratët durrsakë që dolën e votuan në votimet primare me pretendime dhe montazhe filmimesh të pjesëshme se gjoja nuk kanë votuar 1546 anëtarë. Për një gënjeshtar kronik, kjo gënjeshtër e paskrupull është normale.

Qytetarët dhe mediat qe nuk paguhen nga Basha ishin dëshmitarë të një procesi demokratik, të lirë e të hapur. Si në 30 qershor 2019 kur nuk guxoi të hynte në zgjedhje dhe arritja më e madhe ishte filmimi fshehurazi ndërkohë që demokratët kërkonin përballje në kutitë e votimit, Lulzim Vula sajon lajme me filmime të montuara”,- shkruhet në postim.

Duke krahasuar votimet e mbajtura në selinë lokale të PD-së për zgjedhjen e kryetarit të partisë në qershor 2021, mbështetësit e Berishës deklarojnë se:

“Votimet e djeshme ishin vite dritë larg atyre për votimin për kryetar në qershor 2021, që u zhvilluan nga drejtuesit e caktuar nga Basha në zyrat e PD dhe jo ne ambiente publike si kurrë më parë, me qëllim vetë manipulimin e tyre”.

Më tej në postim nënvizohet fakti Lulzim Bashën e tërbon fakti që demokratët durrsakë morën pjesë masivisht në votimin për referendumin e 18 dhjetorit 2021 dhe në primaret e 30 janarit.

Sipas mbështetësve të Berishës, Basha dhe ata që i premtuan se lideri historik i PD nuk kishte në Durrës më shumë sesa 300 votues morën përgjigjen e merituar.

“Pjesmarrja masive e demokratëve në primaret e datës 30 janar dhe referendumin e datës 18 dhjetor 2021 e tërbon atë dhe ata që e siguruan se në Durrës nuk mund të kishte më shumë se 300 votues.

Sa herë të votohet, Lulzim Basha do të marrë të njëjtën përgjigje. Tashmë demokratët durrsakë nuk kanë më kohë të merren me Bashën, por do futen në betejë që Durrësin t’ia kthejnë durrsakëve duke ia hequr nga kthetrat Partisë Socialiste”,- përfundon postimi.

Ditën e hënë, disa media publikuan pamje filmike nga hyrje – daljet e votuesve demokratë në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu”, ndërsa shkonin të votonin për dy kandidatët e primareve.

Sipas tyre, në pamjet filmike duket qartë se nuk kanë votuar 1546 anëtarë, por vetëm 612 votues.

“DurrësLajm” i ndoqi nga afër primaret e së dielës dhe në të gjitha raportimet nga terreni konstatoi një proces shumë të rregullt, të qetë dhe me pjesëmarrje të madhe siç duket edhe nga pamjet filmike të mëposhtme, ku shumë demokratë qëndrojnë në radhë për të votuar.

Postimi i plotë:

Përgënjeshtrim për një gënjeshtar në hall!

30 janari 2022 është një datë me rëndësi historike për Partinë Demokratike. Votimet primare thyen përfumdimisht modelin e caktimit të kandidatëve nga kryetari. Nga 30 janari 2022, kandidatët e Partisë Demokratike që përfaqësojnë demokratët zgjidhen me votë të fshehtë nga anëtarësia. Koha kur Lulzim Basha vendoste me pazare okulte e kandidatë që i sillte surprizë në momentin e fundit në Durrës, ka marrë fund!

Lulzim Basha dhe altoparlantët rreth tij nuk mund të fyejnë demokratët durrsakë që dolën e votuan në votimet primare me pretendime dhe montazhe filmimesh të pjesëshme se gjoja nuk kanë votuar 1546 anëtarë. Për një gënjeshtar kronik kjo gënjeshtër e paskrupull është normale.

Qytetarët dhe mediat qe nuk paguhen nga Basha ishin dëshmitarë të një procesi demokratik, të lirë e të hapur. Si në 30 qershor 2019 kur nuk guxoi të hynte në zgjedhje dhe arritja më e madhe ishte filmimi fshehurazi ndërkohë që demokratët kërkonin përballje në kutitë e votimit, Lulzim Vula sajon lajme me filmime të montuara. Votimet e djeshme ishin vite dritë larg atyre për votimim për kryetar në qershor 2021, që u zhvilluan nga drejtuesit e caktuar nga Basha në zyrat e PD dhe jo ne ambiente publike si kurrë më parë, me qëllim vetë manipulimin e tyre.

Demokratët durrsakë i kthyen kusurin Lulzim Bravës për gazin lotsjellës dhe dhunën policore që ai dhe përfaqësuesit e tij nga Durrësi porositën dhe ushtruan mbi demokratët durrsakë e nga gjithe Shqipëria. Pjesmarrja masive e demokratëve në primaret e datës 30 janar dhe referendumin e datës 18 dhjetor 2021 e tërbon atë dhe ata që e siguruan se në Durrës nuk mund të kishte më shumë se 300 votues.

Sa herë të votohet, Lulzim Basha do të marrë të njëjtën përgjigje. Tashmë demokratët durrsakë nuk kanë më kohë të merren me Bashën, por do futen në betejë që Durrësin t’ia kthejnë durrsakëve duke ia hequr nga kthetrat Partisë Socialiste.