Intervistoi Mila Ballhysa
Ishte zëri i parë kritik ndaj Lulzim Bashës fill pas humbjes që PD regjistroi më 25 prill. Fatbardh Kadilli, një nga 4 kandidatët në garë për kreun e Partisë Demokratike, e konsideron liderin e opozitës shqiptare përgjegjësin direkt për humbjen dhe kritikon faktin që Basha regjistroi sërish një precedent të rrezikshëm, duke mos dhënë dorëheqjen edhe pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.
“Basha ishte fajtor, përgjegjës për humbjen dhe duhet të merrte përgjegjësinë dhe të largohej”,- tha Kadilli në një intervistë për “DurrësLajm”.
Njëkohësisht ai e fajëson Bashën edhe për largimin nga PD të disa emrave, të afruar në parti pikërisht nga kryetari i saj, por që më pas krijuan partitë e tyre, madje garuan në zgjedhje nën sigla të tjera.
“Dy prej tyre kanë dalë nga kanakarët e Bashës, si Rudina Hajdari që mori dhe e katapultoi pa asnjë kontribut politik, apo ai tjetri që ishte snajperi i Bashës për të goditur zëra kritikë apo mendim ndryshe në parti. Nëse ky njeri nuk mban as kanakarët e tij, por as kundërshtarët e tij i bie që e copëton, e zvogëlon partinë”,– tha Kadilli.
Por cili është manifesti i kandidatit Kadilli në zgjedhjet e 13 qershorit?
Kadilli është i vendosur për ndryshimin e Partisë Demokratike, sepse në të kundërt Rama nuk mund të mundet. Duke iu rikthyer një teze të tij, të shpallur që 4 vite më parë, në korrik 2017, kandidati Kadilli thekson se partia duhet të jetë më e madhe sesa kryetari.
“Nuk pres të ndryshojë Edi Rama, pres që PD të bëhet më e mirë”,- thotë ai.
“Një parti më e madhe se kryetari, gjë që realizohet kur roli i kryetarit ndahet nga ai i administratorit të partisë. Kryetari ka si provë vetëm një palë zgjedhje politike. Nëse fiton bëhet kryeministër, nëse humbet ikën dhe quhet i shkarkuar automatikisht. Administrimi i partisë duhet të bëhet nga një Këshill të Urtësh me një mandat më të gjatë sesa mandati i kryetarit, të cilët shërbejnë aty vetëm për administrimin e partisë, por nuk merren me aksionin politik. Si bëhet më e madhe partia, sesa kryetari? Kur nuk është kryetari ai që cakton kush është kandidat për kryetar dege, kush është kandidat për deputet apo për bashki. Kur të gjithë këto funksione zgjidhen me parimin një anëtar një votë të papenguar, kushdo del në garë dhe votohet. Në çdo ZAZ unë propozoj që të zgjidhet kandidati për deputet . Që sot duhet të zgjidhen kandidatët potencialë për deputetë për 4 vite më pas. Nëse fiton është deputet, nëse humbet ai vazhdon të jetë përfaqësues i popullit dhe interesave të komunitetit për atë ZAZ. Kjo do të thotë që kur i zgjedhin vetë demokratët, pushteti është tek ata dhe jo tek zyra apo shtëpia e kryetarit. Një gjë tjetër e rëndësishme, çdo anëtar i partisë ka të drejtë të krijojë partinë e tij, grupseksionin e tij, forumin e tij të partisë. Të mos i duhet të marrë leje askund për këtë gjë”,– vijoi më tej Kadilli.
Duke u ndalur tek shembuj konkretë për dështimet sipas tij të Bashës në caktimin e kandidatëve për deputetë apo për kryetar bashkie, Kadilli sjell shembullin e Durrësit të vitit 2015, për zgjedhjet vendore, ku Grida Duma kandidonte përballë Vangjush Dakos dhe regjistroi një humbje të thellë.
“Nuk mundet ne të vazhdojmë të bëjmë eksperimente nga Tirana për Durrësin, nga Tirana për Shkodrën, apo Vlorën etj. Do ta zgjedhin vetë ata që janë në Durrës se cili është kandidati më i mirë i tyre për t’i përfaqësuar si demokratë por edhe si e djathtë. Këto e bëjnë partinë më të madhe sesa kryetari”,- tha Kadilli.
Duke u ndalur tek Basha, rivali i tij në garë e konsideron liderin aktual të PD “jo të vërtetë”, pasi sipas tij nuk u shkon kauzave të nisura deri në fund, nuk respekton bashkëpunëtorët, nuk njeh kontributet e gjithsecilit në parti.
“Basha e ka mbyllur ciklin e tij politik”,- thotë Kadilli, ndërsa i pyetur nëse do ta njohë rezultatin nëse lideri aktual i partisë fiton më 13 qershor ai thotë se zgjedhjet krijohen me frymë.
“Nëse unë do të arrij të krijoj frymë siç shpresoj dhe dëshiroj do fitoj. Nëse nuk arrij nuk më mbrojnë procedurat, nuk më mbrojnë listat, manipulimet etj”,- tha Kadilli.
Një nga temat më të diskutuara ditët e fundit ishte shpallja “non grata” e Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit. A kishte dijeni Kadilli për këtë, a është Berisha lideri pa miratimin e të cilit askush nuk mund të zgjidhet kryetar partie, a do të dalë më e fituar apo më e humbur PD pas 13 qershorit? Këto dhe shumë pyetje të tjera, njëri nga sfiduesit e Bashës u jep përgjigje në intervistën e mëposhtme.





