Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se nuk e ka thirrur ai policinë më datë 8 janar, kur mbështetësit e thirrur nga Sali Berisha rrethuan selinë blu dhe tentuan marrjen e saj.

Forcat Speciale ndërhynë dhe turma u shpërnda në pak momente.

“Çdo qytetar e di që Policia e Shtetit paguhet nga taksat e shqiptarëve për të ndërhyrë kur konstaton shkelje të ligjit. Përveç kësaj, jo nga unë por nga deputetë dhe përfaqësues politik që ndopdheshin në sallën ngjitur me mua këtu, ka pasur njoftime për dhunën sepse ka pasur njerëz të lënduar dhe brenda në sallë, nga dhuna dhe nga gazi, dhe nga gjithçka tjetër. Gjithçka është një alibi.

Ndërkohë që kishin dalë deklaratat e kancelarive, Policia ende kërkonte shkak për të ndërhyrë apo të mos ndërhyrë. Donte që skenari i gjakderdhjes të shkonte deri në fund. Nuk e kam thirrur unë Policinë. Pjesë e skenarit të Ramës dhe Berishës është që ta vazhdojnë këtë valle sikur këtu ka dy palë, janë njësoj të përfshira, etj etj”, u shpreh Basha në emisionin “Pikat mbi i”.