Ditën e sotme ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi fushatën në Shkodër aty ku garon me kandidatin Xhemal Bushati dhe e prezantoi para demokratëve shkodranë. Kryedemokrati tha se Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.

“Dy dashni kanë shkodranët, PD-në dhe Vllazninë. Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Jam krenar që është kandidati i PD-së për Shkodrën. Është njeriu që është kujdesur me zemër dhe me shpirt për qytetarët e Shkodrës”, tha Basha.

Pak minuta para takimit të Bashës në Shkodër ka një prani të shtuar policie në perimetrin afër vendit ku mbahet prezantimi i kandidatit.

Bushati do të jetë në garë me 2 kandidatë të tjerë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ai do të ketë përballë Bardh Spahinë nga “Shtëpia e Lirisë” dhe Majlinda Angonin që garon në radhët e PS-së.