Tiranë, 31 mars 2014 – Kryetari i opozitës paralajmëroi se të enjten nis për të mos u ndalur beteja për ekonominë. Basha akuzoi qeverinë se e firmosi në fshehtësi marrëveshjen me FMN, ndërsa një tjetër rritje e fortë taksash do të vijë për shqiptarët. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu demokrat renditi një sërë treguesish, ku modeli i rritjes së taksave nuk përmbushi parashikimet dhe varfëroi qytetarët.

“Sipas BSH investimet private janë në nivele shumë të dobëta, tkurrja ka vazhduar me 1.4 %. Ekonomia është ankthi i çdo familje shqiptare, veçanërisht më të varfëra, por edhe atyre që kanë kursyer diçka e që po shtrëngojnë më fort se kurrë kursimet. Rënia e konsumit, strukja e portofolit të kursimeve flet për gjendjen e rëndë ekonomike. Konsumatori e ka lënë në klasë qeverinë Rama-Meta, qytetari po i bën llogaritë e mbijetesës pa qeverinë duke e konsideruar atë problemin për t’u zgjidhur e jo zgjidhjen e problemit”,- tha Basha.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/