Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka emëruar Besnik Aliajn në krye të Departamentit të Planifikimit dhe Zhvillimit Urban.  

Doktor i Shkencave në Planifikim Territori, Besnik Aliaj e ka nisur aktivitetin e tij në fillim të viteve '90 në qeverisjen vendore. Për 16 vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Ka kryer studime pasuniversitare dhe specializime në Danimarkë, Holandë, Norvegji, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka bashkëpunim të vazhdueshëm me organizmat ndërkombëtare dhe është autor i dhjetëra botimeve dhe punimeve shkencore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban.

Besnik Aliaj është prej dy dekadash një nga zërat më të spikatur të shoqërisë civile. Themelues i organizatës jo qeveritare në fushën e planifikimit dhe zhvillimit Urban CO-PLAN, Aliaj e nisi angazhimin politik në vitin 2004-2005 si pjesëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave KOP, pranë PD. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Besnik Aliaj kandidoi për Partinë Demokratike përballë kryeministrit te atëhershëm Nano.

Besnik Aliaj është zgjedhur në tre legjislaturat e fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës si këshilltar i Partisë Demokratike. Ai është themelues dhe drejtues i Universitetit Polis, institucion elitar i arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore në fushën e arkitekturës, planifikimit urban dhe inxhinierisë, me reputacion të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar.