28 nëntor 2015 – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha shprehu bindjen se ky 28 Nëntor do të shërbejë për një bashkim të ri dhe të madh të shqiptarëve për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota dhe të vërteta, të lirisë, demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga shefi i opozitës pas vendosjes së kurorave me lule në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në kryeqytet, i shoqëruar nga ish-kryeministri Sali Berisha, nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho, deputetë, drejtues vendorë, veteranë etj.
“Nga altari i martirëve të kombit dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve anembanë Shqipërisë, trojeve shqiptare dhe anembanë botës gëzuar festën e Pavarësisë, festën e Flamurit, gëzuar festën e Çlirimit! Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë kombëtare se kombi shqiptar ndër shekuj. Por kjo liri është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, e arbitraritetit dhe arrogancës”, tha Basha.
Drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha kanë përkujtuar sot në ditën e lindjes së tij dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Më tej, Basha vizitoi edhe familjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit.
Edhe këtë 28 Nëntor, opozita feston të dyja festat, si Pavarësinë ashtu edhe Çlirimin.
/portali DurresLajm/