TIRANË, 10 maj 2013- Qyteti i Tiranës do të ketë që sot bustin e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish deputetit tё Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit z. Sabri Godo. Për Kryetarin e Bashkisë, imazhi i Godos, i përjetësuar sot në mermer do të vlejë si një shtysë drejt marrjes së vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat zoti Godo u përpoq, gjatë gjithë karrierës së tij.

“Për mua, sot personalisht, kjo ditë është e ngarkuar me emocion, sikundër për shumë prej nesh por edhe me një sens përmbushje dhe tashmë një pritshmërie të re, një pritshmërie që imazhi i tij i përjetësuar sot në mermer do të vlejë si një shtysë ekstra, përveç kujtimeve tona për të, për të na shtyrë drejt një jete më të drejtë, drejt vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq gjithë jetën e tij, familjen, shoqërinë, atdheun dhe kombin”, u shpreh kryebashkiaku Basha.

Në emër të familjes Godo, vajza e Sabriut, Ermira Godo ka falënderuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjithë ata që mundësuan përjetësimin e Sabri Godos në këtë bust.

“Falënderojmë thellësisht z. Basha, për angazhimin e tij maksimal, për ta venë Sabri Godon në piedestal, në zemër të Tiranës, duke i bërë vend kështu në rangun e burrave të shquar të kombit. E falënderojmë për kujdesin me të cilën e përgatiti këtë ceremoni edhe pse në një periudhë të ngjeshur dhe të ngarkuar për të dhe i lutem t’i përcjellë mirënjohjen tonë Këshillit Bashkiak dhe të gjithë strukturave të Bashkisë, që pa mëdyshje dhe në një periudhë mjaft të shkurtër, na i bënë gjërat të lehta. Babai ynë e konsideronte z. Basha njeriun e duhur, për punët e duhura. Unë dhe gjithë familja jonë i urojmë me gjithë zemër një të ardhme të ndritur” – deklaroi ajo.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Visar Zhiti e ka cilësuar Sabri Godon si luftëtar të lirisë.

“Më lejoni t’i drejtohem Sabri Godos, mirëserdhët! Kujtuam se iku por nuk është e vërtetë, ai u kthye prapë. U kthye aty ku e la punën, si deputet i popullit të tij. Tani është pranë Parlamentit, përgjithmonë. Sabri Godo ishte luftëtari i lirisë, tani është në mermer për ta përkujtuar si të tillë”
Ambasadori i BE, Ettore Sequi, një mik i Sabri Godos ka vlerësuar punën dhe angazhimin e tij, e cila sipas z. Sequi është aq kuptimplotë, sa do ta mbajë Godon të pranishëm përjetë mes nesh.