Nga ‘Çadra e lirisë’ ku pasditen e sotme, së bashku me kreun e opozitës, Lulzim Basha ishin dhe aleatët, njëzëri ata folën për vendimin për të mos u regjistruar në zgjedhjet e qershorit.

Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi edhe një herë se është i gatshëm për dialog me Ramën, teksa është duke pritur për 5 ditë rresht. “Duam dialog. Tash 5 ditë presim dhe dora e shtrirë për një dialog paqësor dhe konstruktiv pa kushte refuzohet nga ai që është mësuar t’i flasë popullit të vet me monologë që s’japin zgjidhje”, tha Basha.

“Por kurrë nuk është vonë. Edhe sot nga ky shesh dora për dialog mbetet e shtrirë për t’i dhënë fund krizës. Por ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe nga qeveria teknike”,tha Basha.  

Basha më tej falënderoi edhe partitë që nuk janë në koalicion me PD-në, por që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveri teknike. 

“Falënderojmë me mirënjohje të thellë, të gjitha ato parti që s’janë pjesë e koalicionit tone, por që mbështesin kauzën tonë. Faleminderit dhe mirënjohje të thellë për ju që na mbështesni në kauzën tonë, gjithmonë nëse jeni të sinqertë”,ishte mesazhi i Bashës drejtuar LSI-së, që së fundmi është shprehur për qeveri edhe me besimin e opozites.