Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur me nota tejet të ashpra sot gjatë mitingut elektoral përmbyllës në Kukës, ku ka kërcënuar hapur se kushdo që cenon votat, ose fut duart në zgjedhje, e pret burgu i pamëshirshëm.

“Që këtu ju them fjalë burrash, kush guxon, ju pret burgu i pamëshirshëm. Hiqni duart nga zgjedhjet”, tha prerë Basha.

Kryedemokrati u bëri thirrje të hapur kuksianëve, hasianëve dhe tropojanëve të përcjellin me zero deputetë Ramën në Kuvend, ndërkohë që 3 mandatet e deputetit t’ia japin PD-së, si e vetmja që ka një plan konkret, program konkret me vulën gjermane.

Kreu i demokratëve tha se Edi Rama nuk krijoi mirëqenie për shqiptarët dhe premton të njëjtat edhe pas 4 viteve në pushtet. “Edi Rama nuk gënjen dot askënd. 4 vite më parë premtoi dhe nuk i mbajti premtimet. Nuk i mbajti sepse nuk kishte prioritet mirëqenien, punën, ekonominë tuaj por kishte prioritet tekat e qefet e veta”, tha Basha.