Me duart që vazhdojnë ritualin e përditshëm, të nisur rreth 60 vite më parë, dhe vështrimin e ngulitur, mjeshtri Idriz Balani po punon mbi portretin e radhës. Sa e sa të tillë ka nxjerrë nga duart, aq sa ndoshta edhe ai vetë nuk i mban mend të gjithë.
Por nuk ndalon, sepse skulptura dhe punët e tij e kanë përmbushur shpirtërisht.
Tani, krijesa e tij më e fundit është muzeu i ngritur në shtëpinë e skulptorit, ku ka mbledhur të gjithë ata që ai i konsideron “miqtë” e tij. Janë aty kopje të veprave më të hershme, deri tek më të fundit. Mes Skënderbeut, Fan Nolit, Haxhi Zekës etj janë dhe Hilary Clinton, Bilal Xhaferri, por edhe disa nudo të realizuara në kohë të ndryshme. Ky muze do të jetë mbase kryevepra e fundit e mjeshtrit.
Me një kohështrirje krijimtarie në dy regjime, të kaluarin dhe të tanishmin, skulptori Balani kujton se dekadat e para ju desh të vraponte për të përvetësuar zanatin, ndërsa më pas, si një profesionist i lirë, iu dedikua atij me kohë të plotë.
Arritja e afateve, përfundimi në kohë, realizimi me mjeshtëri i veprës. Janë të gjitha vështirësi të punës, që shpesh nënkuptojnë netë të tëra me shumë pak orë gjumë.
Studio e tij është e hapur edhe për artistë të tjerë, me të cilët e lidh miqësia e gjatë dhe pasioni i përbashkët. Një ndër ta është piktori Bujar Lila, të cilin e gjejmë, ndërsa po punon mbi një skulpturë të Jan Kukuzelit. Në përfundim, ai do t’i propozojë bashkisë realizimin e kësaj vepre, por në përmasa më të mëdha për shkollën artistike, që mban të njëjtin emër. Për Bujarin, të punosh me Idrizin është një kënaqësi dhe përgjegjësi më vete.
Artistët e vuajnë mungesën e theksuar të skulpturës monumentale në qytetin 3000-vjeçar, që nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur figurave historike.
Dritëshkurtësinë me të cilën autoritetet e shohin artin pamor, e dëshmon dhe kjo histori e trishtë, që Idrizi na tregon. Shtatorja 3 metra e gjatë e liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova qëndron prej vitesh në parkingun e hotelit të vëllait të skulptorit për një arsye gati-gati banale.
E porositur si vepër arti gjatë periudhës kur Lulzim Basha ishte kryetar bashkie i Tiranës dhe e përfunduar në kohën kur Basha kishte humbur përballë Erion Veliajt, por ishte ende në detyrë, statuja dështoi të vendosej në rrugën që mban të njëjtin emër, pranë Shallvareve, sepse kryebashkiaku kishte harruar të nxirrte lejen e ndërtimit…
Skulptori që ka nxjerrë nga duart e tij qindra vepra arti të vendosura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Greqisë etj, ka ende shumë të tjera në mendje. Në ekspozitën e fundit në Tiranë u paraqit me dy vepra, portretin e inxhinierit Ismail Hamiti dhe medaljonin e bibliografes Teuta Dhima, por në mendjen e tij ka ende shumë krijime të parealizuara.
Në vrapin e tij me kohën, skulptori Balani kërkon t’i rrëmbejë asaj çdo çast, për ta përdorur në funksion të artit.
Një tis të lehtë trishtimi në sy ngaqë askush nga fëmijët apo nipërit e mbesat s’ia trashëgoi zanatin, Idrizi e largon me kënaqësinë që i fal fakti se ata janë mjaft entuziast për muzeun dhe do të dinë të kujdesen për të. Mjeshtri planifikon që gjithçka që ndodhet në muze të jetë e certifikuar dhe ky pavion, pse jo, të futet në guidat turistike për t’i njohur të huajt me një pjesë të vogël të historisë dhe artit tonë.
Kur hedh sytë në muzeun e veprave të Idriz Balanit, nuk mund të mos shohësh edhe portretet e prindërve të tij, të punuara me mjaft mjeshtëri. I rrethuar nga dy portretet më të dashura të tij, por edhe të miqve që njohu gjatë rrugës së artit, skulptori Balani ndihet i plotësuar.
M.B.







