TIRANË,17 dhjetor 2013 – Partia Demokratike ka nisur sot seancat dëgjimore me grupet e interesit, ne lidhje me projekt/buxhetin dhe paketën fiskale të qeverisë. 
Kreu demokrat Lulzim Basha, i pranishëm në një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit në vend, theksoi se qëllimi i PD-së është të rikuperojë sadopak mungesën e dëgjimit të zërit të grupeve të interesit në procesin e hartimit të buxhetit 2014. 

Sipas Bashes  ajo që po propozon mazhoranca është një “ndryshim drastik, dramatik, pothuajse total i realitetit fiskal dhe buxhetor”. 

Ndër të tjera Basha shprehu shqetësimin e opozitës për paketën e re fiskale, pasi sipas tij, “largimi arbitrar nga sistemi i taksës së sheshtë do ta kapë për fyti rritjen njomëzake që Shqipëria dhe shqiptarët kanë gëzuar prej 5 -6 vitesh me radhë. Do të shkaktojë një efekt negativ për ekonominë. Trembje e investitorëve, euros, dollarit dhe lekut”. 
Sipas PD-së, pr/buxheti i vitit 2014 ka në thelb arbitraritetin dhe paaftësinë e qeverisë. 

Duke i bërë thirrje edhe përfaqësuesve të mazhorancës që t’i bashkohen konsultimeve me grupet e interesit, kreu i PD-së ka nisur bashkëbisedimin me përfaqësues të biznesit për aspekte të paketës fiskale që prekin aktivitetin e tyre.