11 nëntor 2013- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkruan se heshtja e qeverisë për debatin mbi shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri është arrogancë. Kreu i opozitës ka postuar mbrëmë një status në “Facebook”, ku shprehet se një prej arsyeve përse duhet protestuar sot përpara Kryeministrisë është edhe refuzimi i transparencës nga ana e qeverisë.
“Vetëm vota e lirë garanton transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit. Pa votë të lirë nuk ka as transparencë, as llogaridhënie. Pa votë të lirë ka vetëm arbitraritet dhe arrogancë. Heshtja e qeverisë për armët kimike është arrogancë, është arbitraritet. Qeveria hesht dhe refuzon të bëjë transparencën, sepse nuk i trembet gjykimit të drejtë të popullit. Nuk i trembet gjykimit tuaj, sepse mendon se kur të vijë dita e gjykimit me votë, mund ta blejë atë me 2 mijë lekësha”, shkruan Basha. Sipas tij “Prandaj është jetike që të ngrihemi të gjithë bashkë e t’i themi ndal arbitraritetit dhe arrogancës! Ndal heshtjes për armët kimike! Ndal mosllogaridhënies! Ndal papërgjegjshmërisë! Për të drejtat tona themelore. Për të drejtën e votës së lirë. Për dinjitetin tonë”. Pak ditë më parë, në emisionin “Opinion” ai deklaroi se “Është e patolerueshme që zyrtarët e lartë të qeverisë preferojnë të diskutojnë këtë çështje në “Le Monde” apo “Deutsche Welle”, përpara se të bëjnë transparencën para publikut shqiptar, le më përpara opozitës. Ne nuk e dimë nëse ka kërkesë dhe çfarë kërkese do jetë. Duhet parë çfarë kërkese është dhe çfarë përmban. Kjo qeveri, në 3 vendimet e para pas heqjes së fotos së Presidentit, pati ndalimin e importit të plehrave të një ligji të hartuar me ekspertët e BE dhe të gjykuar në përputhje me dispozitat e BE-së, me pretendimin se kjo do të ndotë Shqipërinë dhe që kërkuan referendum për këtë çështje”.





