Nga qyteti i Delvinës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj edhe një herë ftesës së kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje.
Duke bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit, Basha tha se vota për numrin 9 do të bëj të mundur arsimimin dhe punësimin e rinisë të Delvinës e të mbarë Shqipërisë, do të bëj të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet e huaja, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.
“Mos ia hapni derën dështimit për herë të tretë. Nuk ka kërcënim më të madh për familjet shqiptare, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë sesa edhe 4 vite të tjera si këto 8 vite që e lanë Shqipërinë në vendnumëro. Ai e kupton, e ka mësuar tashmë se më 25 Prill shumica dërmuese e shqiptarëve do të votojnë për ndryshimi, do të votojnë për numrin 9, do të votojnë për Aleancën e Ndryshimit. E ndjen etjen tuaj për ndryshim. E kanë kuptuar shpresën që është rindezur në zemrat e shqiptarëve se ne mund ta bëjmë realitet punësimin për rininë. Se ne do ta bëjmë realitet hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re. Ai e kupton se ne do të mund të bëjmë realitet të gjitha zotimet tona. Ndryshe nga premtimet e 8 viteve që nuk i mbajti, por i shkeli një nga një. Tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes tonë. Përgjigjja ime nga Delvina, njësoj si nga Saranda është jo! Nuk ka për të ndodhur, koha e Edi Ramës ka mbaruar! Erdhi dita për votën tuaj, për ndryshimin, për shpresën, për rindezjen e besimit në familjet tuaja, në tokat tuaja, në pronat tuaja, në këtë trevë të mrekullueshme! Ndryshimi nuk vjen pa larguar Edi Ramën! Këtë e dini ju, këtë e di ai, këtë e di gjithë Shqipëria! Ndaj vëllezër dhe motra, te bëhemi bashkë krah për krah si një familje e madhe, duke përfshirë qindra e mijëra socialist të ndershëm, t’u themi dhe atyre se ndryshimi që po vjen më 25 prill nuk do të na ndaj, por do të na bashkoj, se qeveria e ardhshme do të jetë qeveria e njerëzve të thjesht dhe se unë do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Të gjithë do të përfitojnë nga ndryshimi i vërtet në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në bujqësi, në rritjen e rrogave dhe pensioneve, sepse ky vend i mrekullueshëm, njësoj si Delvina, kjo trevë e krenarisë dhe e punës i ka të gjitha mundësitë që të bëjmë këto mundësi të punojnë për njerëzit e Shqipërisë. Që Shqipëria dhe pasuritë e saj të prodhojnë mirëqenie dhe pasuri për të gjithë shqiptarët”, tha Basha.





