Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me përplasjen e sotme me Flutura Açkën në Komisionin e Medias në Kuvend.

Bardhi shprehet se ndjehet i keqardhur nga përplasjet me kolegë të opozitës. Sipas tij, nuk mund të jetë strategji provokimi me një “normalitet të rremë”.

Sa për reagimin e Lulzim Bashës që quajti “burrecë” atë dhe deputetin Flamur Noka, Bardhi thotë se Basha bën strategjinë e një të paburri që rri në shtëpi dhe kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë besojnë gënjeshtrat e tij.

Reagimi i Bardhit: 

Absolutisht i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës! Por, është fakt i njohur që opozita është në një betejë kundër mazhorancës në Kuvend, dhe çdo opozitar duhet të jetë krah nesh në këtë betejë, dhe jo përballë njëlloj si Edi Rama. Tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë” i kolegëve të opozitës, nuk mund të jetë kurrë strategjia e një opozitari. Ajo është vetëm strategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve, ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë të besojnë gënjeshtrat e tij!