Edhe lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për personat që kanë humbur jetën një natë më parë në Mynih të Gjermanisë, mes të cilëve 3 viktima shqiptare.
Basha shpreh ngushëllimet për familjet shqiptare që humbën bijtë e tyre në këtë akt çnjerëzor siç e ka cilësuar ai sulmin në Gjermani.
“Jam i tronditur nga akti i verbër, çnjerëzor i të premtes në Mynih të Gjermanisë ku mes viktimave të pafajshme që kanë humbur jetën janë tre të rinj shqiptarë. Sabina Sulaj, Armela Segashi dhe Diamant Zabergja humbën jetën nga ky akt barbar. Ngushëllimet më të thella familjeve Sulaj, Segashi dhe Zabergja. Këtë moment të rëndë hidhërimi dhe dhimbjeje kombëtare, jemi me zemër dhe mendje pranë tyre, të bashkuar për ta përballuar dhimbjen e madhe”, shkruan Basha.
Gjermania kaloi një të premte terrori dje, kur një 18-vjeçar gjermano-iranian sulmoi me armë në një qendër tregtare. Nga 9 personat që humbën jetën në këtë sulm me armë zjarri në Mynih, tre prej tyre janë nga Kosova, një djalë dhe dy vajza në moshë fare të re. Ata janë Dijamant Zabergja, 21 vjeç, Sabina Sulaj dhe Armela Segashi.





