DURRËS, 23 TETOR 2014–  Grupi parlamentar i Partisë Demokratike po kalon një moment të zi politik. Kryetari formal i PD, Lulzim Basha, për të forcuar pozitat e tij si dhe për të theksuar më tej profilin politik, kërkon vijimin e linjës së bojkotit të jetës parlamentare, duke ndrydhur zërat e deputetëve. Por, izolimi i grupit parlamentar nuk ka kufi. Lulzim Basha ka fuqizuar fort rolin e kryetarëve të rinj të degëve të PD në bazë, duke nxjerrë jashtë loje deputetët. Aktualisht, deputetët nuk janë as në bazë dhe as në Parlament. Në këto kushte, shpërbërja e grupit parlamentar demokrat, pavarësisht peshës dhe rolit të Sali Berishës, duket se është e pashmangshme. Nga ana tjetër, kryetari i PD, Lulzim Basha, i vetëdijshëm për disfatën e thellë në zgjedhjet e ardhshme lokale, kërkon që bojkoti të shtrihet deri në zgjedhjet e vitit 2015. Me anë të kësaj lëvizje, Basha synon mobilizimin e bazës si dhe krijimin e një gjendje të rreme jonormale, për të justifikuar më pas disfatën. Fillimisht Basha paralajmëroi bojkotin e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt u tërhoq, pasi e pa se ky vendim ishte fundi i tij politik. Kundër bojkotit u rreshtua i gjithë grupi parlamentar demokrat. Por, Basha tashmë kërkon bojkotimin e Kuvendit deri në zgjedhjet lokale. Nga ana tjetër, deputetët kanë shtuar presionin për t’u kthyer në Kuvend. Madje, Tritan Shehu, deputetja Mesila Doda dhe Majlinda Bregu kanë nisur të marrin pjesë në takimet e kryeministrit Rama.    Qëndresa për bojkot   Pas presionit në rritje të ndërkombëtarëve, të deputetëve demokratë dhe aleatëve, Lulzim Basha, i mbështetur edhe nga Sali Berisha, po bën qëndresë të fortë sa i takon zgjatjes së bojkotit të Kuvendit. Shumë deputetë e kanë kërcënuar Bashën, se do të hyjnë në Parlament dhe nuk do të vazhdojnë t’i binden më urdhrit të tij për të bojkotuar pa afat Parlamentin. Deputetja Mesila Doda ka dalë disa herë hapur kundër bojkotit, ku edhe dy ditë më parë i bëri apel deputetëve, që të marrin pjesë në Parlament. Divergjencat në grupin parlamentar të PD sa i takon bojkotit, kanë bërë që Basha të mos zhvillojë mbledhje prej 2 muajsh nën pretekstin se janë të angazhuar me zgjedhjet për strukturat drejtuese në SHQUP. Në këto kushte, Partia Demokratike është e ndarë në dy kampe, një palë e deputetëve që kërkon rikthimin në Parlament dhe pjesa tjetër e cila është pro vendimit për të bojkotuar. Duke qenë se afati për të bojkotuar Kuvendin është zgjatur shumë, ka bërë që një pjesë e deputetëve të shmangin edhe aktivizimin në selinë e PD-së në shenjë proteste. Faktori ndërkombëtar e sheh të palogjikshëm bojkotin e Kuvendit, në kushtet kur vendi duhet të miratojë disa reforma shumë të rëndësishme për integrimin, që kërkojnë kategorikisht edhe përfshirjen e opozitës. Por, demokratëve nuk u interesojnë reformat e integrimit të vendit, madje kanë kërcënuar se do të djegin mandatet e tyre. Protesta më e madhe e brendshme e Berishës dhe Bashës është frika e madhe nga humbja e zgjedhjeve lokale. Basha dhe Berisha kanë përdorur disa alibi të palogjikshme, vetëm për të mbuluar frikën nga humbja e radhës pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.